Ndërlidhjet

PRESIDENTI KROAT VIZITON KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Se çfarë duhet të jetë e ardhmja e Kosovës, për këtë duhet të vendosë populli i Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç. Ai i ka bërë këto deklarata, pas një takimi me zëvendësshefin e UNMIK-ut Larry Rossin, në fillim të një vizite njëditëshe Kosovës, me ç’ rast do të takojë udhëheqjen e Kosovës, si dhe pjesëtarët e pakicës kroate në Kosovë. Presidenti kroat Mesiç tha se qysh në kohën kur ishte kryetar i kryesisë së ish-Jugosllavisë, ishte angazhuar për marrëveshje paqësore, por nëse ajo nuk arrihej, atëherë secili nga subjektet përbërëse të ish-Jugosllavisë të shkonte i pavarur rrugës së saj. Sa i përket Kosovës, Mesiç tha se tashmë ka ardhur koha për përcaktimin e statusit të saj dhe për këtë ka mjaft adresa se si të zgjidhet kjo çështje në mënyrë paqësore:
"Se në ç’ mënyrë do të zgjidhet statusi i Kosovës, kjo është një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjen qytetarët e Kosovës, pasi Kosova tani ka presidentin, parlamentin dhe qeverinë," tha presidenti Mesiç. Ai shfaqi shpresën se takimet e tij të sotme me UNMIK-un dhe me institucionet e Kosovës do të ndihmojnë për të gjetur mënyrat më të mira dhe më paqësore për të ecur përpara në synimet drejt integrimeve evropiane:
"Dua që këto takime t’i kontribuojnë mirëkuptimit më të madh në gjithë rajonin tonë, pasi një Kosovë jostabile do të thotë edhe rajon jostabil," tha Mesiç, për të shfaqur interesimin e Kroacisë për përcaktimin e statusit të Kosovës.
Ndërkaq, zëvendësshefi i UNMIK-u Larry Rossin, e quajti konstruktiv dhe të vlefshëm takimin me presidentin kroat:
"Presidenti Mesiç ka disa analiza dhe këshilla të mençura për t’ia ofruar UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, për mënyrën se si Kosova duhet të ecë në rrugën e saj," tha zoti Larry Rossin.
Presidenti i Republikës së Kroacisë Stipe Mesiç, gjatë ditës së sotme ka vizituar dy vendbanime me pjesëtarë të pakicës kroate në Kosovë, fshatrat Letnicë dhe Janjevë. Gjatë qëndrimit në Janjevë, presidenti Mesiç, para së gjithash ka dënuar sulmet terroriste që kanë ndodhur sot në Londër. Ndërkaq, duke iu drejtuar qytetarëve kroatë në këtë fshat, presidenti Mesiç tha se do të dëshironte që pjesëtarët e këtij komuniteti, që janë larguar nga këtu dhe kanë shkuar në Kroaci, të kthehen dhe të jetojnë në shtëpitë e tyre. Presidenti Mesiç sot gjatë ditës ka kërkuar nga qytetarët kroatë të Kosovës, që të jenë qytetarë lojalë të vendit ku jetojnë, por ka kërkuar që të respektohen edhe të drejtat e tyre njerëzore dhe kombëtare.
Presidenti i Kroacisë Stipe Mesiç sot pasdite takohet edhe me kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova, me kryeministrin Bajram Kosumi dhe me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci.

XS
SM
MD
LG