Ndërlidhjet

EKSPERTËT DHE ZYRTARËT OPTIMISTË PËR RAPORTIN E EIDES


Zijadin Gashi, Prishtinë

I deleguari i posaçëm i zotit Kofi Anan për të bërë vlerësimin e shkallës së përmbushjes së standardeve, ambasadori norvegjez Kai Eide, do të përmbyllë sot pjesën e parë të misionit të tij. Paraprakisht ai ka vizituar komuna dhe vendbanime të ndryshme në Kosovë, pastaj është takuar me përfaqësuesit më të lartë politikë dhe ata të jetës shoqërore. Sot zoti Eide ka patur një drekë pune me kryeministrin Bajram Kosumi, para se të vazhdojë qëndrimin e tij të sërishëm në Beograd, e më pas në disa prej qëndrave të rëndësishme vendimmarëse botërore.
Raporti përfundimtar i ambasadorit Eide pritet diku në shtator, mirëpo sipas disa njoftimeve nga qeveria e Kosovës, ai do të hartojë një pjesë të raportit të tij edhe për këto ditë pune sa ishte në Kosovë. Duke bërë një vlerësim të tërësishëm të ecurisë së zbatimit të standardeve dhe vlerësimit të pavarur nga qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u, që Eide po bën aktualisht, profesori i çështjeve juridike në universitetin e Prishtinës Riza Smaka, mendon se me disa kritika dhe vërejtje, raporti i Eides mund të pritet të jetë pozitiv për Kosovën.
"Bazuar nga ecuritë e zhvillimeve shoqërore në përgjithësi dhe aktualiteti egzistent, mund të pritet se raporti do të jetë optimist. Natyrisht me vlerësime se ka ecje përpara, ka realizime të konsideruara të segmenteve të standardeve, të cilat janë një ndër postulat themelorë, përkitazi me hapjen e negociatave apo të çështjes së statusit."
Profesor Smaka vlerëson se qeveria e Kosovës duhet të ketë një përqëndrim kryesor në standardin për sundimin e ligjit, në zbatimin e tij sipas tij, do t'u hapej rruga të gjitha standardeve të tjera. Ndërkaq duke u përqëndruar në decentralizimin, si një prej standardeve më vete, në të cilin kërkon përparime edhe ambasadori Eide, Riza Smaka thotë se decentralizimi është edhe në dobi të Kosovës, por nëse ai nuk do të krijonte vija ndarëse etnike.
"Çdo pikëpamje decentralizimi është e dobishmej jo vetëm për minoritetin serb, por për të gjithë qytetarët e Kosovës, përveç pikës së decentralizimit në funksion të enklavizimit. Kjo është pika kyçe, vija e kuqe, ku faktori politik dhe institucionet tona janë dashur të rezistojnë pa kurrfarë dileme të rezistojë deri në fund".
Pasi të hartojë pjesën e parë të raportit të tij për shkallën e përmbushjes së standardeve, i deleguari i zotit Anan, pritet që të kthehet sërisht në Kosovë, për të vazhduar misionin e tij nga mesi i muajit gusht.

XS
SM
MD
LG