Ndërlidhjet

PRIVATIZIMI I KOMPLEKSIT TË TREPÇES, E VETMJA RRUGË PËR SHPËTIMIN E TIJ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nëse kombinati Trepça nuk privatizohet apo korporatizohet, atëhere shumë shpejt mund të ndodhë shkatërrimi përfundimtar i gjigandit më të madh ekonomik të Kosovës, vlerësojnë drejtues të kombinatit Trepça.
Ky kombinat, që në vetvete përfshin nxjerrjen dhe përpunimin e xehes, si dhe finalizimin e disa prodhimeve, ndodhet në një gjendje të vështirë dhe kjo gjendje daton që nga vitet 90', pohojnë drejtuesit e Trepçes dhe të institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare.
Në të vërtetë Trepça nuk ka punuar me kapacitete të plota që nga vitet 90', kur mijëra shqiptarë u dëbuan nga vendet e tyre të punës, pas zhvillimeve të atëhershme politike. Ndërkaq pas fillimit të administrimit të Kosovës nga misioni i Kombeve të Bashkuara, janë bërë disa përpjekje, që nëse nuk arrin të rivitalizohet, Trepça së paku të ruhet në gjendjen që ishte.
Jovan Dinkiq, drejtor i Trepçes në Zveçan, thotë se në vitin 2000 është arritur një marrëveshje me UNMIK-un.
"Praktikisht ne e kemi një marrëveshje me UNMIK-un që të realizohet puna reale dhe të paguhen pagat mujore për 1000 punëtorë në veri dhe po për aq në jug", tha zoti Dinkiq. Ndërkaq manaxheri i përgjithshëm i Trepçes, Nazmi Mikullovci, thotë se të gjithë punëtorët që aktualisht janë në marrëdhënie pune në Trepçe, paguhen nga buxheti i Kosovës.
"Në marrëdhënie pune në pjesën jugore janë 1270 punëtorë që marrin paga të rregullta dhe i kryejnë punët e rregullta, por të gjithë janë të paguar prej buxhetit të Kosovës. Në të njëjtën kohë janë edhe 4300 ish-punëtorë, të cilët marrin pensione të parakohshme. Gjëndja e ngjashme është edhe në pjesën veriore, sepse edhe në pjesën veriore pagat paguhen prej buxhetit të Kosovës. 1080 punëtorë janë në marrëdhënie të rregullt të punës, 2160 punëtorë marrin pensione".
Zoti Mikullovci thotë se gjigandi që ka mbajtur gjallë ekonominë e Kosovës, patjetër duhet të privatizohet.
"Trepça, nëse në të nuk vjen deri tek një ndërrim i rëndësishëm organizativ, që nënkupton privatizimin, ose formimin e një ndërmarrjeje në formë të korporatizimit të saj, kjo ka për t'u shkatërruar".
Mirëpo ndarjen që ka përjetuar qyteti i Mitrovicës, e ka përjetuar dhe kombinati Trepça, thonë zyrtarët.
Si rrjedhojë, drejtori i pjesës veriore të Trepçes Dinkiq, thotë se ka probleme për privatizimin e saj.
"Kjo është një nga daljet e mundshme në këtë situatë që ndodhet Trepça, mirëpo duhet paraprakisht të krijohet një ambjent i qartë politik dhe juridik për privatizimin," thotë Dinkiq, duke përmendur me këtë rast kontestimet pronësore mes Serbisë dhe Kosovës apo administratës së UNMIK-ut.
Megjithatë zoti Nazmi Mikullovci, thotë se këtu nuk ka kurrfarë kontesti pronësor.
"Sa na përket neve çështja është mëse e qartë. Trepça duhet të privatizohet."
Ministri i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e Kosovës, Haki Shatri, tha për Evropën e Lirë, se privatizimi i Trepçes është pjesë e programit për privatizim të ndërmarrjeve shoqërore, që duhet të realizohet në faza, për shkak se Trepça ka një shtrirje të madhe dhe njësi të shumta punuese.
"Ne kemi biseduar dhe mendojmë se mund të fillohet me privatizimin e Trepçes. Trepça ka për të filluar të punojë brenda korrikut. Ne mendojmë se mund të fillohet me privatizim të Trepçes. Nuk ka nevojë të dalë komplet në tender, ajo mund të privatizohet pjesërisht".
Mirëpo UNMIK-u, në duart e të cilit është çështja e privatizimit dhe Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit, nuk e ka të qartë nëse mund të bëhet privatizimi i Trepçes apo jo. Metchilde Henneke lidhur me këtë thotë:
"Sa i përket privatizimit të Trepçes sot nuk mund të themi asgjë për këtë, pasi nuk ka plane konkrete për privatizimin e këtij kombinati në pronësi shoqërore, por njëkohësisht nuk privatizohet mundësia e privatizimit të Trepçes," tha Metchile Henneke.
Ministri për Ekonomi dhe Financa Haki Shatri, i cili sipas detyrës është dhe anëtar i bordit të AKM-së që bën privatizimin, tha se kjo është e mundur.
"Ne e kemi një program të përgjithshëm që brenda një viti të privatizohen 90 % e vlerës së ndërmarrjeve shoqërore."
Deri më tani, as vala e shtatë e privatizimit e shpallur javën e fundit, nuk e ka përfshirë Trepçën, ndërkohë që në procesin e privatizimit është gjigandi i dytë kosovar i nxjerrjes së xehjes Ferronikeli nga Gllobovci. Edhe Trepça do duhej nxjerrë në tenderin e privatizimit sipas metodës së spin-off-it special, që parasheh punësimin e numrit të caktuar të punëtorëve, një specifikim të detajuar të shumës së blerjes neto dhe shumës së investimeve të domosdoshme, që do të duhej të bënte blerësi eventual.
Drejtori Nazmi Mikullovci thotë se ky do të ishte shpëtim, jo vetëm për Trepçen.
"Nëqoftëse zgjidhen këto çështje në mënyrë fatlume, potenciali egzistues i Trepçes, në rradhë të parë xehtaria dhe metalurgjia, paraqet shance reale për zhvillimin e Kosovës".
Deri atëhere gjendja e Trepçes, që para viteve 90' ka patur 25 mijë punëtorë, ndërsa tani jo më shumë se 2000 punëtorë aktivë do të mbetet e vështirë, me rrezikun e shkatërrimit përfundimtar, thonë drejtuesit.



XS
SM
MD
LG