Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

MINAT ENDE PARAQESIN RREZIK NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Nëpër shumë vise të Kosovës minat dhe mjetet e tjera shpërthyese, ende paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve. Kjo është dëshmuar edhe të djelën në fshatin Gremnik të Klinës, ku pesë fëmijë kanë hasur në një minë, nga shpërthimi i të cilës dy prej tyre kanë vdekur, kurse tre të tjerët janë lënduar rëndë.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të raportojnë tek organet kompetente, sa herë që hasin në ndonjë objekt të dyshimtë. Pavarësisht se nga mbarimi i luftës ka kaluar një kohë e gjatë, fushat e minuara, apo në disa raste mjetet shpërthyese që nuk kanë shpërthyer gjatë luftës, ende paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, thotë zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Shefki Morina.
"Dy vitet e fundit kemi më shumë qytetarë që paraqiten për rastet e tilla, lajmërojnë në numrat kujdestarë të policisë 112 ose 092, pastaj drejtpërdrejt në stacionet e policisë, ku policia bën rrethim të tërësishëm të vendit të ngjarjes, thirren njësitet e posaçme për demolimin apo shkatërrimin e tyre, forcat e KFOR-it, të policisë ndërkombëtare etj. Kjo bëhet me qëllim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të Kosovës".
Pastrimin e fushave të minuara pas luftës, fillimisht e ka bërë KFOR-i. Më pas kjo përgjegjësi në masë të madhe u është besuar Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Krahasuar me kushtet, rrethanat, si dhe mjetet që disponojmë është arritur një punë shumë e madhe në identifikimin e fushave me lëndë plasëse dhe mjete të pashpërthyera të luftës, thotë koloneli Shemsi Syla, zëdhënës i TMK-së.
"Mund të përmendim një hapësirë mbi 2.947.010 m2 që është pastruar nga lëndët plasëse, apo të pashpërthyera, që kanë mbetur si pasojë e minimit nga armiku.”
Ndër fushat e deminuara, si dhe ato që aktualisht po pastrohen nga minat nga ana e ekipeve të specializuara të TMK-së, koloneli Syla ka përmendur vendbanimet si Jasiçi, Gërmia, Nerodimja, Papazi, Zhubi, Gremniku, Valljaka, Milaj e vende të tjera.
"Nga të gjitha këto, janë çminuar ose janë larguar nga rrezikshmëria 831 bomba kasetore, 351 mina. Këto flasin për një shifër shumë të madhe dhe nëse marrim parasysh pasojat e rrezikshmërisë që ishte mundur të shkaktohej nga këto mjete, është një punë mjaft e madhe".
Koloneli Syla ka potencuar gjithashtu se krahas pajisjeve të sofistikuara që përdor TMK-ja, identifikimin e vendeve të minuara, e ka vështirësuar edhe mosofrimi i hartave nga ana e ushtrisë jugosllave për viset që kjo ushtri i ka lënë të minuara gjatë luftës.
"Si pasojë e mosofrimit të të dhënave dhe hartave nga ushtria jugosllave, e cila ka qenë veç edhe e detyruar sipas marrëveshjes që t'i dorëzojë, si mungesë e atyre hartave për t'i ditur vendet dhe si mungesë e mosofrimit të atyre të dhënave, ndoshta mund të ketë edhe shumë fusha të tjera, të cilat nuk mund t'i dimë, pasi nuk posedojmë fakte."
Që nga mbarimi i luftës, krahas punës që KFOR-i dhe TMK-ja kanë bërë për pastrimin e terrenit nga minat dhe mjetet e tjera shpërthyese, në Kosovë janë organizuar dhe programe të ndryshme për vetëdijësimin e njerëzve, për rrezikun që paraqesin këto mjete plasëse. Ndonëse nuk janë dhënë statistikat e qarta, në polici besohet se numri më i madh i viktimave janë fëmijë.



XS
SM
MD
LG