Ndërlidhjet

KRYETARI RUGOVA PËRURON MONUMENTIN KUSHTUAR GAZETARIT ENVER MALOKU


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Disa qindra qytetarë të Prishtinës dhe zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe të komunës së Prishtinës, kanë marë pjesë sot në ceremoninë e zbulimit të monumentit për gazetarin e njohur shqiptar Enver Maloku. Monumenti i ndërtuar nga komuna e Prishtinës është vendosur në vendin, ku kundër Enver Malokut, qe bërë një atentat më 11 janar të vitit 1999, përpara banesës së tij, deri sa po kthehej nga puna ndërkohë që ishte shef i Qendrës për Informim të Kosovës. Monumentin e ka zbuluar presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, bashkëpunëtor i ngushtë i të cilit ka qenë Enver Maloku gjatë gati një dekade. Me këtë rast, presidenti Rugova tha se Enver Maloku gjatë punës së tij kishte lëshuar në botë mesazhin për vullnetin e popullit të Kosovës për liri e pavarësi:
"Duke zbuluar këtë monument përkujtoj figurën dhe veprën e madhe publicistike të Enver Malokut. Ai, për më shumë se dhjetë vjet, ditën dhe natën lëshoi në botë mesazhin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe ky mesazh i tij ndihet edhe sot".
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se së shpejti do të realizohet edhe ëndrra e Enver Malokut për Kosovën:
"Sot mund t’i themi Enver Malokut të çmuar, së shpejti vepra jote dhe ky monument do të zbukurohet me njohjen e pavarësisë së vendit tonë. Monumenti që po zbulojmë sot e shton krenarinë tonë për Enver Malokun dhe e thellon bindjen se Kosova nuk i harron bijtë e vet, se Kosova i madhëron bijtë e vet."
Duke folur në emër të komunës së Prishtinës, që e ka financuar ngritjen e këtij monumenti, kryeshefi i egzekutivit, Sami Hamiti, tha:
"Në këtë vend ku kemi vendosur monumentin e Malokut, mbaroi jeta e tij e vrullshme. Ky monument le të jetë vendi që nderon jetën dhe veprën e tij. Puna e tij në informim për ngjarjet në Kosovë dhe shqiptimi i tij i kristaltë i idesë së madhe të shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur e demokratik, janë të lidhura me agjencinë e parë të pavarur të lajmeve që ka pasur Kosova në historinë e vet – Qendrën për Informim të Kosovës."
Enver Maloku e ka udhëhequr Qendrën për Informim të Kosovës që nga fillimi i viteve 90' e deri në fund të jetës së tij. Enver Maloku i kishte shpëtuar një atentati vetëm pak muaj para se të bëhej edhe një atentat i dytë fatal, ndërsa autorët nuk u zbuluan asnjëherë.






XS
SM
MD
LG