Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

JESSEN PETERSEN KËRKON SHPEJTIMIN E DECENTRALIZIMIT GJATË VIZITËS NË BRUKSEL


Augustin Palokaj, Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer dhe kryeadministratori i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, kanë thënë sot se NATO do vazhdojë të krijojë rrethana sigurie në Kosovë, në mënyrë që të vazhdohet procesi politik, që do të çojë deri tek nisja e debatit të statusit të Kosovës. Petersen është takuar sot në selinë e NATO-s në Bruksel, me shefin e kësaj aleance Jaap de Hoop Scheffer, dhe të dy kanë konstatuar se sa më shumë që po afrohet momenti, aq më shumë po shtohet dhe rëndësia e procesit në Kosovë, e me këtë edhe rreziku nga tensionimet. Prandaj sipas tyre është e domosdoshme që KFOR-i dhe UNMIK-u të jenë maksimalisht të angazhuar për të garantuar sigurinë në Kosovë. Sekretarii Përgjithshëm i NATO-s po ashtu ka bërë thirrje liderëve nga të gjitha palët që të përmbahen dhe të jenë të matur në deklarimet e tyre publike në këtë kohë dhe të mos e bëjnë situatën edhe më të vështirë sesa është. I pyetur se cilave deklarata po u referohej, Scheffer nuk deshi të sqarojë, përveçse tha se ata të cilëve po u drejtohem, e dinë se për çfarë është fjala, dhe prandaj dhe po e përsërit këtë thirrje për përmbajtje nga deklarimet e tilla publike. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s po ashtu paralajmëroi sot se të hënën do të vizitojë Beogradin dhe se mes të tjerash, do të përsëritë edhe atje thirrjen për autoritetet e Beogradit, që të inkurajojnë serbët e Kosovës të hyjnë në institucionet kosovare. Këtë thirrje e përsëriti dhe Soren Jessen Petersen, i cili nënvizoi se deri në këtë moment, Beogradi ende nuk u ka dhënë dritë jeshile serbëve të Kosovës që të kyçen në institucione.
Megjithëse tha se është arritur një përparim i dukshëm në përmbushjen e standardeve, shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, po ashtu u shpreh sot i shqetësuar, për atë që e quajti, ngadalësim që po vërehet në përmbushjen e tre standardeve kyçe, siç janë decentralizimi, liria e lëvizjes dhe kthimi. Prandaj ai tha se së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, u bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës që të shtojnë përpjekjet e tyre, në përmbushjen e këtyre standardeve. Petersen tha se përkundër disa incidenteve të fundit, megjithatë situata e sigurisë është përmirësuar dukshëm në Kosovë. Ai do të ketë takime edhe me zyrtarë të Bashkimit Evropian gjatë qëndrimit të tij në Bruksel sot dhe nesër.

XS
SM
MD
LG