Ndërlidhjet

PD MBLEDH ALEATËT PËR TË DISKUTUAR QEVERINË E RE


Alma Çupi, Tiranë

Në fund të kësaj jave Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të mblidhen për të diskutuar emrat, që do të përbëjnë qeverinë e ardhshme. Sipas informacioneve të deritanishme, aleatët kryesorë të Partisë Demokratike do të jenë Partia Republikane, Partia Demokrate e re dhe Partia Demokristiane.
Këto parti do të ofrojnë numrin e deputetëve që i nevojiten Partisë Demokratike për të krijuar qeverinë, kundrejt një vendi ministror.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Bamir Topi, thotë se qeveria e ardhshme do të ketë më pak ministri. Aktualisht janë 18 ministri dhe numri i tyre do të reduktohet në 14 ministri.
"Është diskutuar për një numër 14. Kabineti i ardhshëm qeveritar do të jetë më i vogël, do të jetë më operativ, më funksional dhe natyrisht nuk do të jetë institucion, i cili do të konsumojë më shumë fonde publike sesa do të prodhojë".
Ndërsa kryetari i Partisë Demokristiane Nikollë Lesi, thotë për Evropën e Lirë, se Partia Demokristiane ka fituar dy deputetë dhe do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, duke pranuar çdo lloj pozicioni në qeveri, pa pretendime, në të mirë të Shqipërisë.
"Tashmë po presim formulën e kryeministrit Berisha, mbledhjen me aleatët për përbërjen e qeverisë së re. Partia Demokristiane ka fituar dy deputetë. Jemi siç thashë pjesë e koalicionit që do të qeverisë Shqipërinë këto vite, por Partia Demokristiane ka si prioritet të saj që interesat kombëtare janë mbi interesat e ngushta partiake të çdo partie përbërëse të koalicionit qeverisës, që do të thotë se mbështesim formulën e kryeministrit të ri".
Nënkryetari i Partisë Demokrate të re Tritan Shehu, thotë se koalicioni zgjedhor duhet të kthehet në koalicion qeverisës.
"Koalicioni zgjedhor duhet të kthehet në koalicion qeverisës. Do të jemi mjaft loajalë në këtë koalicion, do të derdhim gjithë kontributin tonë ashtu siç e dhamë dhe gjatë fushatës elektorale, për një periudhë qeverisëse sa më të mirë".
Edhe pse rezultati zyrtar përfundimtar i zgjedhjeve nuk ka dalë nga KQZ, Partia Demokratike ka nisur të mendojë për emrat që do të përbëjnë qeverinë e ardhshme. Kjo, pasi rezultatet e deritanishme flasin për një mazhorancë të thelluar të Partisë Demokratike në Kuvend. Partia Demokratike arrin të grumbullojë 75 deputetë, së bashku me partitë aleate me të. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton ankesat e shumta të bëra nga partitë politike dhe kandidatët për deputetë.


XS
SM
MD
LG