Ndërlidhjet

KËRSTOVIQ VLERËSON TË PADOBISHME DEKLARATAT E BEOGRADIT PËR PJESËMARRJEN E SERBËVE TË KOSOVËS NË INSTITUCIONET VENDORE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me gjithë paralajmërimet, përfaqësuesit e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, që ka dalë nga zgjedhjet e vitit të shkuar si subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, nuk kanë marrë një vendim përfundimtar lidhur me hyrjen në institucionet e Kosovës. Mirëpo, përfaqësuesit e këtij subjekti thanë sot se një vendim përfundimtar do të merret deri në fund të javës, pavarësisht qëndrimit të Beogradit që deri më tash ka shtyrë marrjen e një vendimi. Përfaqësuesi i kësaj liste Dragisha Kërstoviq, tha se mbledhja e sotme ishte një përpjekje për tejkalimin e ndarjeve të brendshme. Meqenëse kjo listë përbëhet nga degë partish me qendër në Beograd, qëndrimet e Beogradit zyrtar, që shefi i UNMIK-ut Petersen i ka quajtur kundërthënëse, janë reflektuar edhe brenda këtij subjekti, pasi një pjesë e kësaj liste pohon se hyrja në institucione duhet të ndodhë sa më parë, ndërsa një pjesë pohon se për këtë duhet pajtimi i plotë i Beogradit. Dhe ndërsa presidenti i Serbisë Boris Tadiq, as pas takimit të sotëm me të dërguarin e posaçëm të Sekretarit të Kombeve të Bashkuara Anan, ambasadorin Kai Eide, nuk ka dhënë dritën e gjelbër për hyrjen e serbëve në institucione, duke vlerësuar se nuk janë krijuar kushte të mjaftueshme për këtë, Dragisha Kërstoviq tha këto pohime nuk ndihmojnë serbët e Kosovës:
"Pohimet e vazhdueshme se nuk janë krijuar kushtet për kthim në institucione janë hipotetike dhe nuk ndihmojnë për të ndryshuar pozitën e serbëve të Kosovës," tha Kërstoviq, sipas të cilit duke deri në fund të javës mund të pritet një vendim i prerë rreth kësaj çështjeje me shpresën se edhe Beogradi do të ndryshojë qëndrim:
"Por, pavarësisht nga qëndrimet e Beogradit, deri në fund të javës do të ketë një qëndrim përfundimtar të kësaj liste," tha Kërstoviq, për të shtuar se mospjesëmarrja në institucione është një humbje e vazhdueshme, e cila çdo ditë po ndikon në humbjen e besimit. Nëse vazhdohet me këtë situatë, Lista do të shndërrohet në një subjekt politik joserioz, që nuk do të ketë ndonjë peshë politike, vlerësoi Kërstoviq.
Lista serbe për Kosovën dhe Metohinë ka tetë vende të rezervuara në Parlament dhe të paktën një post ministror dhe dy poste zëvendësministrash në qeverinë e Kosovës, ndërkohë që në parlament merr pjesë me dy deputetë Partia Demokratike Serbe e Kosovës, e cila po ashtu shfrytëzon postin e Ministrit për Kthim dhe Komunitete përmes zotit Slavisha Petkoviq, i cili së fundi ka kërkuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë që t’ia marrë mandatet Listës serbe dhe t’ia japë atij, duke pohuar se kanë kaluar afatet ligjore për shfrytëzimin e vendeve në parlamentin e Kosovës.



XS
SM
MD
LG