Ndërlidhjet

A.GJINI: PËRPARIM NË ÇËSHTJEN E PRONAVE


Albana Isufi, Prishtinë

Rreth 50 përqind nga mbi 29 mijë rastet e pronave të uzurpuara në tërë Kosovën janë zgjidhur, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Drejtoratit për Çështje Banesore Pronësore i UNMIK-ut, David Chillaron –Cortizo.
“Pothuajse 50 përqind e rasteve tashmë janë zbatuar dhe kjo vlen për 29 mijë e 100 rastet, që pretendohet se janë të uzurpuara dhe kjo shifër vlen për tërë Kosovën”, tha zoti Cortizo.
Përparimin në zgjidhjen e problemeve të pronave, e ka pohuar edhe Ministri i Ambjentit dhe Planifikimit Hapësinor, Ardian Gjini. Në takimin e sotëm të grupit punues për standardin “E drejta pronësore”, Gjini ka thënë se prioritet për institucionet e Kosovës tash është krijimi i bazës ligjore për çështjet pronësore.
“Qëllimi i standardit është krijimi i bazës ligjore dhe rregullativave, që do garantonin mbrojtjen e pronës në Kosovë, në Kosovën e pas statusit, kur ne do të qeverisim në këtë vend dhe ne duhet të japim garanci, se prona do të jetë e patjetërsueshme dhe ndaj saj do të sillemi si në Evropë”, tha Gjini.
Sipas Gjinit, baza ligjore do të vendoset brenda këtij viti. Ndërkohë, shefi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, ambasadori Werner Wnendt, mendon se përparimi për të zgjidhur këtë çështje do të arrihet me një vendosmëri politike.
“Duhet të punojmë shumë për të parë progres. Ka pasur disa përparime, por nevojitet përparim substancial në punën legjislative, sepse çështjet pronësore janë shumë të rëndësishme si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, në sundimin e ligjit, por edhe sa i përket të drejtave të njeriut, pasi askush nuk mund të privohet nga e drejta e pronës”, tha ambasadori Werner Wnendt.
E drejta pronësore është një nga standardet prioritare që institucionet e Kosovës duhet ta përmbushin, ndërkohë që nga vlerësimet që i janë bërë përmbushjes së standardeve, është konstatuar se ky është standardi i vetëm që ka shënuar më së paku përparime. Aktualisht qeveria e Kosovës ka filluar një fushatë mediale për vetëdijësimin e qytetarëve rreth të drejtës pronësore.
Në anën tjetër, Drejtorati për Çështje Banesore dhe Pronësore i UNMIK-ut, ka paraparë që deri në fund të këtij viti, t’i zgjidhë të gjitha problemet me pronat e uzurpuara.

XS
SM
MD
LG