Ndërlidhjet

UNMIK-U I DORËZON QEVERISË PROJEKTET PËR MINISTRITË E RENDIT DHE DREJTËSISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen i ka sot dorëzuar kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi, projektet për dy ministri të reja, Ministrinë e Rendit dhe atë të Drejtësisë. Kështu ka deklaruar për Evropën e Lirë, Sylë Ukshin,i drejtor i zyrës së kryeministrit për informim, pas takimit ndërmjet kryeadministratorit Jessen Petersen dhe kryeministrit Bajram Kosumi, në të cilin ishte i pranishëm edhe shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut për polici e drejtësi, Jean Dessur, ku çështja e decentralizimit dhe e sigurisë kanë qenë çështjet kryesore:
"Edhe zyrtarisht, shefi i UNMIK-ut Petersen i ka dorëzuar kryeministrit Kosumi projektin përfundimtar për krijimin e dy ministrive të reja – Ministrisë së Rendit dhe Ministrisë së Drejtësisë. Këto projekte kanë marrë dritën jeshile nga Nju Jorku dhe tani do të jenë në duart e kryeministrit dhe të qeverisë, ku do të shihen modalitetet e mëtejshme," tha zoti Ukshini, ndërkohë që sipas tij ende nuk ka një datë të saktë se kur do të fillojë zbatimi i këtyre projekteve, apo se kur do të formohen përfundimisht këto dy ministri, me të cilat rrumbullakësohet procesi i bartjes së kompetencave. Kjo, për faktin se dje shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen ka nënshkruar edhe rregulloren për bartjen e kompetencave mbi Këshillin Ekonomik Fiskal nën autoritetin e kryeministrit të Kosovës. Vetë zoti Jessen Petersen i ka quajtur të rëndësishme këto dy ministri, të cilat, sipas tij do të merren me të gjitha çështjat e sigurisë, që nga siguria publike e deri tek adresimi i çështjeve të përfolura të shërbimeve të kundërzbulimit të partive politike, pasi siç u shpreh Petersen duhet të egzistojë vetëm një shërbim i tillë. Shefi i UNMIK-ut ka hedhur poshtë pohimet e ndryshme se ai do të ruajë për vete kompetencat kryesore në këto fusha. Unë e kam të rezervuar të drejtën që të ndërhyj dhe të veproj në rastet kur shkelen parimet e rezolutës 1244, ka thënë Petersen.
Drejtori i zyrës së informacionit, zoti Sylë Ukshini, tha se projektet për dy ministritë do të shqyrtohen nga kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij:
"Ato do të shqyrtohen menjëherë, mirëpo është thënë se ana teknike do të marrë ndoshta një muaj, dy apo tre, por kryesisht në vjeshtë do të fillohet. Datë të përcaktuar nuk ka, por tani kur është dhënë drita e gjelbër, ky projekt apo vendim i Nju Jorkut do të shikohet të zbatohet sa më parë".
Qeveria e Kosovës fillimisht ka pasur nëntë ministri të udhëhequra nga koalicioni i tre partive më të mëdha politike të Kosovës, ndërsa në mandatin e dytë të qeverisë, janë formuar edhe Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Energjetikës, duke shtuar numrin e ministrive në dymbëdhjetë ministri. Dorëzimi i projekteve për Ministrinë e Rendit dhe atë të Drejtësisë, që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me sigurinë, ka ardhur vetëm një ditë para se në Kuvendin e Kosovës të debatohet lidhur me sigurinë, me ç’rast para deputetëve do të flasin komisioneri i policisë së UNMIK-ut, Kai Vitrup dhe shefi i policisë së Kosovës, kolonel Sheremet Ahmeti.
Ndryshe, në takimin e sotëm shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen e ka njoftuar kryeministrin Bajram Kosumi se nesër pasdite do ta nënshkruajë urdhëresën administrative, e cila do të mundësojë fillimin e zbatimit të pilot projekteve për decentralizimin.




XS
SM
MD
LG