Ndërlidhjet

SITUATA E SIGURISË NË MAQEDONI ËSHTË E QETË


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Kohëve të fundit nuk ka patur hyrje të grupeve të armatosura nga Kosova në Maqedoni, vlerësojnë përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend, duke komentuar informacionet e mediave maqedonase dhe atyre serbe, si dhe të disa qarqeve politike maqedonase, se ka lëvizje të shpeshtuara të grupeve të armatosura në kufirin me Kosovën.
"Kjo nuk është hera e parë që gjatë këtij viti të ketë spekullime dhe akuza për lëvizje ilegale në kufirin verior të Maqedonisë në pjesën me Kosovën, pasi në këtë pjesë kufitare egziston prani e madhe e forcave ndërkombëtare të sigurimit, ndërkohë që edhe policia maqedonase, prej një kohe të gjatë ka përvojë në këtë sferë. Nuk shoh kurrfarë problemesh dhe as që kemi marë ndonjë informacion për kalime të tilla kufitare," ka deklaruar Andrea Angeli, zëdhënës i zyrës së Bashkimit Evropian në vend.
Ai më pas shtoi se asnjë kufi nuk mund të jetë plotësisht i sigurt dhe i pakalueshëm për lëvizjet ilegale.
"Çdoherë egziston mundësia që të kalohet kufiri, sepse asnjë kufi nuk mund të jetë 100 përqind i sigurtë ose hermetikisht i mbyllur, por do të kisha thënë se asgjë e veçantë nuk ndodh në kufirin e Maqedonisë me Kosovën," ka deklaruar Angeli.
Ndërkohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, thonë se as dje dhe as ditëve të kaluara, nuk është regjistruar ndonjë grup i armatosur nga Kosova. Nga ana tjetër përfaqësuesit e policisë kufitare thonë se kufiri midis Maqedonisë dhe Kosovës është i sigurtë dhe nuk ka kurrfarë kalimesh ilegale.



XS
SM
MD
LG