Ndërlidhjet

SOLANA KRITIKON INSTITUCIONET E KOSOVËS PËR NGADALËSIM TË PËRMBUSHJES SË STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana, ka kritikuar sot institucionet e Kosovës për ngadalësim të procesit të përmbushjes së standardeve dhe për decentralizimin, duke kërkuar nga ata më shumë angazhim dhe duke kërkuar më shumë pilot-projekte për serbët në kuadër të procesit të decentralizimit. Zoti Solana është deklaruar kështu në një konferencë për shtyp në Prishtinë, pas takimeve që ka pasur me shefin e UNMIK-ut Jessen Petersen, me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, me kryeministrin Kosumi, me liderët e opozitës Thaçi e Surroi, si dhe me përfaqësues të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë. Zoti Solana fillimisht tha se Bashkimi Evropian vazhdon të jetë me Kosovën në rrugën e saj për përmbushjen e ëndrrave të saj, por ka kritikuar institucionet për mosangazhim të mjaftueshëm:
"Unë isha vërtet i befasuar që pashë atë, që do ta quaja ngadalësim në procesin e standardeve dhe në procesin e decentralizimit," tha Solana, duke e quajtur këtë një gabim, pasi sipas tij ky është një moment kur liderët e institucioneve duhet të bëjnë të kundërtën. Ai posaçërisht ka kërkuar nga institucionet që të fillojnë zbatimin e pilot-projekteve dhe që të ketë më shumë pilot projekte për serbët:
"Mendoj se pilot-projektet nuk janë të mjaftueshme në numër dhe do të doja të shihja më shumë pilot-projekte duke funksionuar dhe sidomos më shumë projekte të tilla për serbët e Kosovës," tha zoti Solana.
Mirëpo, shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, duke u pajtuar se ka njëfarë ngadalësimi në përmbushjen e standardeve dhe në pilot-projektet e decentralizimit, tha se nuk është i gjithë faji i institucioneve:
"Përderisa Beogradi ua mohon serbëve të Kosovës mundësinë që të jenë pjesë e procesit, do të ketë kufizime në atë se sa përparim do të bëjnë për kthimin dhe për lirinë e lëvizjes," tha zoti Jessen Petersen, i befasuar nga deklaratat e liderëve të Listës Serbe se UNMIK-u nuk ka bërë sa duhet për të bindur serbët që të jenë pjesë e institucioneve.
Në anën tjetër, për presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, mesazhi më i qartë i zotit Solana ishte mbështetja për integrimin e Kosovës dhe të rajonit në Bashkimin Evropian:
"Zoti Solana erdhi me mesazhin se Kosova ka perspektivë evropiane dhe Bashkimi Evropian është i përcaktuar që të vazhdohet procesi i Selanikut, që siç e dini ka filluar për Ilirinë perëndimore, Ballkanin apo sido që t’i thonë, që Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit të jenë në BE."
Edhe bashkëbiseduesi tjetër i zotit Solana, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se përcaktimi i BE-së për Kosovën evropiane ishte çështja kryesore që ishte diskutuar me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, por jo e vetmja:
"Çështja e dytë është decentralizimi dhe mesazhi i zotit Solana është se ka një ngadalësim në këtë proces dhe ishte apeli i tij që të gjithë qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se pesë pilot- projektet e decentralizimit, thjesht nuk janë projekte politike, por një proces që fillon tani dhe do të vazhdojë në të ardhmen dhe kjo është me rëndësi që të ndodhë para fillimit të bisedave për statusin përfundimtar të Kosovës".
Zoti Kosumi tha se ai kishte shprehur gadishmërinë e qeverisë për fillimin e zbatimit të pilot-komunave dhe e kishte njoftuar zotin Solana se shefi i UNMIK-ut Petersen, sot do të nënshkruante urdhëresën administrative për fillimin e pilot-projekteve. Mirëpo zoti Petersen tha se kanë mbetur edhe dy çështje për t’u qartësuar para këtij nënshkrimi:
"Para së gjithash duhet të shoh se çfarë është përgjigja e qartë lidhur me kufijtë kadastralë dhe emrat e këshilltarëve komunalë të emëruar," tha Petersen, i cili gjatë pasdites ka takuar edhe Ministrin e Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, për të sqaruar këto çështje.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, sot kanë shpallur qëndrimin e tyre përfundimtar për të mos hyrë në institucionet e Kosovës. Oliver Ivanoviq tha se as UNMIK-u dhe as institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë mbështetje të qartë për këtë:
"Është e qartë se në kushte të tilla Lista serbe nuk mund të hyjë në institucione dhe këtë ia kemi thënë edhe Solanës. Pavarësisht nga përkrahja e tij dhe e bashkësisë ndërkombëtare, serbët nuk do të hyjnë në institucione, pasi kështu ka vendosur Beogradi zyrtar," ka thënë Ivanoviq, sipas të cilit të gjithë përgjegjësinë lidhur me këtë veprim tash e tutje do ta bartë Beogradi. Ndryshe, Goran Bogdanoviq nga kjo Listë, tha se ata do të vazhdojnë bojkotin dhe nuk do të marrin pjesë as në grupet punuese, siç është ai për decentralizimin.

XS
SM
MD
LG