Ndërlidhjet

ÇFARË EFEKTESH MUND TË KETË MOSPJESËMARRJA NË INSTITUCIONE E LISTËS SERBE PËR KOSOVËN DHE METOHINË?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Vendimi i Listës serbe që përfundimisht të mos marrë pjesë në institucionet e Kosovës, do të ketë reflektime të ndryshme në gjithë procesin, e para së gjithash në decentralizim, ndërkohë që zyrtarët e qeverisë së Kosovës dhe ata të UNMIK-ut janë të befasuar nga deklaratat e udhëheqësit të Listës Serbe Oliver Ivanoviq se UNMIK-u dhe qeveria nuk kanë bërë sa duhet për përfshirjen e këtij subjekti politik në institucione. Daut Dauti zëdhënës i qeverisë tha se një deklaratë e tillë është e pakuptimtë dhe nuk është arsyeja e vërtetë e vendimit për mospjesëmarrje:
"Ka kohë, e sidomos muajt e fundit që është krijuar një atmosferë e këndshme e madje edhe një zgjerim i mëtejshëm i lirive personale të të gjithë njerëzve, përfshirë edhe serbët, mirëpo duket se kjo nuk është arsyeja që e përdorin grupet politike serbe për të refuzuar hyrjen në institucione, por me aktet e tilla që i përsëritin disa kohë dëshirojnë të ushtrojnë një presion që edhe më tutje duket i pakuptimtë."
Në anën tjetër, ndërkohë që nuk dihet se çfarë do të ndodhë me tetë vendet e rezervuara të deputetëve për serbët që ishin lënë për këtë subjekt, po ashtu nuk dihet se çarë do të ndodhë me postin e Ministrit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, që është rezervuar nga qeveria aktuale për përfaqësuesit e kësaj liste. Zëdhënësi Daut Dauti ka paralajmëruar mundësinë që ky post të mos ruhet më për zotin Ivanoviq siç qe paraparë:
"Plani ka egzistuar vazhdimisht që vendin e ministrit ta marrë udhëheqësi i këtij grupi politik. Kryeministri disa herë ka theksuar se do ta ruajë vendin për këtë grup politik, mirëpo tashti natyrisht që është e mundur që ky vend të mos ruhet, pasi gjithkaje i vjen fundi."
Ndërkohë subjekti tjetër i serbëve, Partia Demokratike Serbe e Slavisha Petkoviqit, aktualisht Ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, ka kërkuar që mandatet e Listës t’i barten subjektit të tij. Por, ky nuk është fundi i rrëfimit për efektet e vendimit të tillë të Listës Serbe, pasi ata kanë paralajmëruar tërheqje edhe nga grupet punuese. Goran Bogdanoviq nga ky subjekt politik, tha se me siguri nuk do të jenë as në grupin e decentralizimit:
"Në kushte të tilla, sigurisht se nuk do të marrim pjesë në procesin e decentralizimit, pasi konsiderojmë se ky proces që e kanë ofruar UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës, sidomos për Graçanicën dhe Parteshin është i papranueshëm," tha Goran Bogdanoviq, sipas të cilit komunat kadastrale që u ofrohen tash për tash vetëm për fshatrat Graçanicë dhe Partesh janë të papranueshme, pasi janë territore të vogla dhe numër i vogël banorësh, prandaj ekonomikisht të paqëndrueshme.
Ndërsa një kërkesë për më shumë komuna provuese për serbët e ka bërë dje edhe shefi i politikës së jashtme i Bashkimit Evropian Javier Solana, shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen ende është duke i shqyrtuar modalitetet para se ta nënshkruajë vendimin administrativ për pilot-komunat:
"Unë jam duke pritur njoftimet përfundimtare nga kolegët e mi që kanë diskutuar dje pasdite për decentralizimin, ndërsa tani do të takohem me Grupin e Kontaktit," tha zoti Jessen Petersen, duke saktësuar se sot pasdite shpreson ta nënshkruajë vendimin administrativ për decentralizimin, me çka i jepet drita e gjelbër qeverisë që të fillojë zbatimin e pilot komunave. Ndërkohë ka vazhduar një takim ndërmjet zotit Petersen, anëtarëve të grupit të Kontaktit, kryeministrit Kosumi dhe Ministrit të Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, përfundimi i të cilit mund ta qartësojë fatin e nënshkrimit të vendimit administrativ për decentralizimin.


XS
SM
MD
LG