Ndërlidhjet

STANDARDI PËR SUNDIMIN E LIGJIT KA PËSUAR PËRPARIME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Sundimi i ligjit në Kosovë do të ndihmohej shumë nëse do të bëhej një bartje e kompentencave tek autoritetet vendore dhe nëse në Kosovë administrata e UNMIK-ut do t'i shuante strukturat paralele. Kështu është thënë sot pas takimit të grupit punues për sundimin e ligjit, i cili është standardi numër dy, në kuadër të tetë standardeve për Kosovën. Drejtuesja e këtij grupi punues, Ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërnkolli, tha se përmbushja e standardeve nuk duhet të përzihet me gjendjen e përgjithshme politike në Kosovë, apo me decentralizimin.
"Duhet të sqarohet çështja sa janë përmbushur standardet, cilat çështje kanë mbetur pa u përmbushur dhe kjo të mos ngatërrohet thjesht me konceptin e gjendjes politike apo vlerësimin e gjendjes politike në Kosovë dhe me çështjen e decentralizimit. Nëse mbas çdo hapi ne do të kërkojmë gjithnjë një hap tjetër për t'u përmbushur ndoshta kjo nuk do të ketë asnjëherë fund. Dhe këtu duhet t'i vihet pikë një çështjeje, çështjes së standardeve".
Në anën tjetër, koloneli Sheremet Ahmeti tha se në tre zona tani ka përfunduar bartja e autorizimeve tek policia vendore. Numri një i policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, shprehu besimin e tij në përmirësimin e zbatimit dhe sundimit të ligjit në Kosovë, me ngritjen e kapaciteteve vendore.
"Kemi rritur nivelin e pakicave. për shembull në Shërbimin policor të Kosovës në Vushtrri e kemi 25 përqind të pakicës që do të thotë një rritje të përqindjes së përgjithshme të pakicave. Rezultatet janë të mira dhe nga ta dhe janë duke u përfshirë në të gjitha njësitë e Shërbimit policor të Kosovës, në të cilin të gjithë policët janë të barabartë dhe trajtohen njëlloj".
Në vlerësimin e qeverisë së Kosovës në zbatimin dhe sundimin e ligjit si standard, vlerësohen si pengesë strukturat paralele në veri të Kosovës. Ky standard dhe 7 standardet e tjera, janë pjesë e përditshme e vlerësimeve në qeverinë e Kosovës dhe administratën e UNMIK-ut, ndërsa një vlerësim të pavarur në punën e tyre e bëjnë dhe ekipi i ambasadorit Kai Eide, i ngarkuar nga Kofi Anan, për të bërë vlerësimin e shkallës së përmbushjes së standardeve në Kosovë. Raporti i ambasadorit Eide do të jetë i vlefshëm edhe për fillimin e procesit të diskutimeve për statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG