Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

GJENERALI MYERS PËRFUNDON DETYRËN E USHTARAKUT MË TË LARTË AMERIKAN


Andrew Tully

Gjenerali Richard Myers, si shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, është ushtaraku më i lartë në Shtetet e Bashkuara dhe këshilltari kryesor i presidentit George Bush.
Ai ka luajtur një rol kyç sa ishte në këtë post gjatë 4 vjetëve të kaluara, të cilat u përshkuan me operacione të mëdha ushtarake në Afganistan dhe në Irak.
Pas dy muajve, më saktë në 30 shtator, Myers do të dalë në pension.
Ai mbajti një fjalim të hënën në Uashington, i cili mund të quhet fjalimi i lamtumirës.
Fjalimi i Myersit ishte tipik i stilit të tij, i përmbledhur dhe i drejtpërdrejtë. Ai foli shkurt dhe pranoi vetëm disa pyetje.
Myers tha se beson që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë në kursin e drejtë në Irak dhe bëjnë progres në themelimin e demokracisë atje. Por ai tha se Iraku është vetëm një pjesë e konfliktit kundër ekstremistëve islamikë, dhe i përkujtoi amerikanët se janë të angazhuar në një luftë globale.
"Kjo është luftë e vullneteve, të them më qartë. Ata që më së miri e kanë kuptuar këtë, janë trupat tona dhe armiku ynë. Nëqoftëse e humbim vullnetin tonë, dhe nëse vendosim se nuk ia vlen, atëherë më vonë do të na vijë keq dhe nuk do të na pëlqejë bota në ditët që do të pasojnë. Do të jetë një botë, ku ajo që ndodhi në Londër, Nju Jork, Uashington, apo që çdo ditë po ndodh në Irak, do të mund të ndodhë kudo", tha Myers.
Gjenerali Myers ka qenë në nivel të detyrës, thotë ish kongresmeni Bill Frenzel, aktualisht analist në institutin Brookings në Uashington. Frenzell i tha Evropës së Lirë se Myers kishte detyrë veçanërisht të vështirë. Ai lufton në luftën në Irak, e cila gjithnjë e më pak përkrahet nga opinioni amerikan, kurse nga ana tjetër, eprori i tij, Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, po bën ndryshime radikale në Pentagon.
"Në përgjithësi, ai bën një punë të mirë në rrethana të vështira. Jo që vetëm lufton në dy luftëra, por njëkohësisht përpiqet nga Sekretari i Mbrojtjes të nxjerrë një buxhet, me të cilin në të ardhmen do të zhvilloheshin armë të tjera, për dallim nga ato që përdoren sot", thotë Frenzell.
Edhe Leon Furth është dakord se Myers është njeri me integritet. Fuerth ka qenë këshilltar për siguri kombëtare i ish nënpresidentit Al Gor. Ai thotë se roli tradicional i shefit të Shtabit të Përgjithshëm është të zbatojë politikën ushtarake, e jo të jetë zëdhënës i saj. Por Fuerth thotë se gjenerali Myers kohë pas kohe e ka tejkaluar këtë vijë. Këtë muaj, për shembull, Myers i akuzoi Rusinë dhe Kinën se përpiqen ta nxitin Uzbekistanin, që të kërkojë tërheqjen e bazave ushtarake amerikane prej atje.
"Ajo që befason është se komentet u bënë prej tij, e jo nga pjesët e tjera të administratës amerikane. Në çdo qeveri tjetër, do të bëheshin nga Sekretari i Shtetit. Në këtë administratë, nuk befasohemi kur shohim se deklaratat e politikës së jashtme vijnë nga Sekretari i Mbrojtjes. Por është befasi kur vijnë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm", thotë Fuerth.
Me një rast tjetër, në vitin 2004 Kongresi i pezulloi 18 milionë dollarë ndihmat për qeverinë e Uzbekistanit, pasi Departamenti i Shtetit e kritikoi gjendjen e të drejtave të njeriut në këtë vend. Por po atë vit, Myers shkoi në Tashkent të shpallë se Pentagoni në mënyrë të pavarur do t'i japë 21 milionë dollarë Uzbekistanit, kurse vendimin e Kongresit e quajti shkurtpamës.
Me gjithë këto kërcime nga protokolli, Fuerth thotë se në sytë e tij, Myers mbetet një "oficer jashtëzakonisht i mirë".


XS
SM
MD
LG