Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

STABILITETI I MAQEDONISË NDIKON POZITIVISHT NË RAJON


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Një Maqedoni stabile ndikon pozitivisht në rrjedhën e zhvillimeve për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, vlerëson Nazmi Maliqi, kryetar i Unionit të inteligjencës shqiptare në Maqedoni, duke theksuar se shqiptarët në rajon, më shumë se kurdoherë, duhet të jenë të përgjegjshëm për veprimet e tyre, veçanërisht në këtë moment, kur pritet që faktori ndërkombëtar të vendosë sa është e gatshme shoqëria shqiptare të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
"Është shumë me rëndësi që të gjendet një hapësirë e kuptueshme, që të nivelizohen botëkuptimet rreth këtyre projekteve, për të cilët presin bota e qytetëruar, po presin edhe ata që kanë finalizuar dhe investuar në projekte për ne që të jemi më korrektë, të jemi më seriozë," thotë Nazmi Maliqi, duke theksuar se bëhet fjalë për një moment historik për zhvillimet e shqiptarëve në rajon, prandaj, shton ai, nuk përjashtohet mundësia që qarqe të caktuara politike të vendeve fqinje, të tentojnë t'i paraqesin shqiptarët si faktor destabilizues.
"Është shumë me rëndësi që të gjithë shqiptarët, kudo që veprojnë, duhet të veprojnë nga guzhinat shqiptare, nga projektet shqiptare dhe mos të bëhen pre e atyre që duan destabilizimin tonë. Ka kohë për mirëkuptim, ka kohë për bisedime për dialogim. Duhet të lihen të gjitha hapësirat e inateve, të konkurrencave të pakuptimta dhe në formë institucionale të futen në ombrellën e realizimit të projekteve, nëse janë në të mirën e shqiptarëve. Ka ndodhur shumë herë gjatë historisë, që për skaj të asaj që është menduar se veprohet drejt dhe veprohet për interesa kombëtare, nëse kanë qenë të nxitura nga dikush tjetër, kuptohet se më andej janë deshifruar se kanë qenë në dëm të interesave kombëtare shqiptare."
Ndërkohë duke komentuar zhvillimet e fundit në Kondovë, kryetari i Unionit të inteligjencës shqiptare në Maqedoni, Nazmi Maliqi, thotë se artikulimi i kërkesave të grupit të Kondovës përmes një subjekti politik, do të ishte mënyra më e mirë për të realizuar qëllimet e tyre.
"Zgjidhja më fatlume do të ishte që personat, të cilët prej muajsh kanë qenë temë kryesore në media, gjejnë arsyen e tyre, të institucionalizohen përmes ndonjë subjekti politik, dhe atë që dëshirojnë ta realizojnë si program të tyre, ta bëjnë në formë institucionale me formë të caktuar, me kërkesa të caktuara. Dhe atëhere do të gjejnë arsyen që të kuptohen nga të tjerët. Deri tani kjo formë ilegale dhe keqpërdorimet mediatike që bëhen për gjithë atë që ndodh në Kondovë, është fakt se ata mund të gjenden në situata të keqpërdorimeve dhe interpretimeve të ndryshme, që nuk shkojnë në favor të interesave tona. Kjo është koha e fundit që ata ta gjejnë veten në një institucionalizim të kuptimtë, ku megjithatë do gjindet një arsye që sado kudo, që edhe ata nëse kanë projektet e veta, të garojnë me të tjerët për realizimin e atyre projekteve", përfundon Nazmi Maliqi.

XS
SM
MD
LG