Ndërlidhjet

TRAFIKIMI I BRENDSHËM KA SHËNUAR RRITJE NË KOSOVË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në Kosovë trafikimi dhe prostitucioni i dhunshëm ka shënuar rritje, veçanërisht në rradhët e viktimave që vijnë nga Kosova. Vetëm Organizata Ndërkombëtare për Migrim, prej vitit 2000 ka asistuar mbi 470 viktima të prostitucionit, tha Edona Maloku nga kjo organizatë, për të shtuar se 53 rastet e viktimave kanë qenë nga Kosova. Zonja Maloku njëkohësisht tha se mosha e viktimave paraqitet prej 14 deri në 30 vjeç, ndërsa ato kryesisht kanë nivel të ulët të shkollimit dhe vijnë nga familjet që jetojnë në gjendje të rëndë sociale.
" Numri më i madh ka qenë i atyre që kanë ardhur nga vendet e treta, domethënë vende kryesisht të Evropës Juglindore. Megjithatë kohëve të fundit ka patur një ndryshim në trendin e trafikimit përsa i përket asistimit tonë dhe mënyrës se si janë trafikuar femrat, ashtu që është bërë një ndryshim duke kaluar nga viktimat e trafikimit të sjella nga vendet e treta, në viktima të trafikimit vendore", tha zonja Maloku, duke shtuar se rastet më të shpeshta të trafikimit në Kosovë, janë vajza dhe gra të trafikuara për shfrytëzim seksual dhe prostitucion të dhunshëm.
Ajo tha se nga 53 rastet e viktimave vendore të asistuara nga IOM-i, 67 përqind e tyre kanë qenë fëmijë nën moshën 18 vjeç.
"Megjithatë ka patur dhe raste të tjera dhe dihet se trafikimi nuk kufizohet vetëm në shfrytëzimin seksual, por mund të jetë edhe për punë të detyruar apo marrje dhe shitje të organeve, që ndodh kryesisht në rastin e fëmijëve e kështu me rradhë. Megjithatë puna jonë në Kosovë konsiston kryesisht në asistimin e viktimave të trafikimit të përdorura për qëllime të shfrytëzimit seksual."
Në përpjekje për të zbutur sadopak këtë dukuri, Organizata Ndërkombëtare për Migrim që prej një muaji ka filluar një fushatë informative një vjeçare, me qëllim sensibilizimin e opinionit kosovar për rrezikun e trafikimit të qënieve njerëzore, tha zonja Maloku.
"Është projekt që është financuar nga qeveria finlandeze dhe është zhvillohet në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe të Maqedonisë, për shkak se është projekt që bëhet në të dyja këto vende. Qëllimi i këtij projekti dhe i gjithë fushatës është që njerëzit të informohen për trafikimin, të vetëdijësohen se në Kosovë fatkeqësisht po ndodh trafikimi, se gratë dhe vajzat tona po shfrytëzohen dhe ç'është më e keqja, shumica e këtyre rasteve kosovare, po trafikohen brenda për brenda Kosovës."
Sidoqoftë në raportin e fundit të IOM-it, thuhet se nëse viktima bie njëherë në kurthin e rrethit të trafikimit, për të është shumë e vështirë të kontrollojë këtë proces. Gjërat personale, pashaporta dhe paratë ju konfiskohen, kurse viktima është nën presion të vazhdueshëm fizik dhe psiqik. Gjatë ditës ajo zakonisht mbahet e mbyllur në banesë, kurse mbrëmjeve detyrohet të merret me prostitucion. Sa i përket çmimit të tregut për një individ në Kosovë, sillet prej 100 deri në 5 000 euro.
XS
SM
MD
LG