Ndërlidhjet

DORUNTINA OSE SUKSESI MUZIKOR SHQIPTAR NË NORVEGJI


A e dini kush e ka fituar sivjet konkursin e këngës moderne për të rinjë në Norvegji, një konkurs i ngjashëm me "Ethet"?
Emri i fitueses, ndryshe nga ç'mund të pritet, nuk është as Bjor, Sven apo një emër tjetër i ngjashëm me emrat skandinavë. Ajo quhet Doruntina Disha dhe prej 13 vitesh jeton në Norvegji.
Duke folur për konkursin për programin tonë, Doruntina thotë:
"Po, ky konkurs organizohet nga Power Hit Radio" dhe "Dream factory" dhe zbulohen talente të rinj të këngës moderne. Sivjet konkurohej në dance."
Më tej Doruntina shton se ky konkurs organizohet çdo vit në Norvegji. E natyrisht në një konkurs me traditë duhet të kesh një kombinim cilësish që të futesh në mesin e më të mirëve, e për më tepër të fitosh.
"Përveç zërit që e kam karakteristik dhe melodioz jam shumë e lirë në skenë. Vallëzimi dhe lëvizjet e mia qenë pritur shumë mirë nga publiku dhe juria e garave", sqaron Doruntina, e cila natyrisht nuk mbeti vetëm tek fitorja e një konkursi. Ajo nxorri në qarkullim këngën e saj të parë, që në fakt renditet ndër më të suksesshmet në Norvegji në hitet për të rinj.
Ajo për këto risi në karrierën e saj pohon:
"Pas fitores pata disa oferta për kontratën e parë. Por më shumë më pëlqeu kompania Dream Factory që jam tash. Me këtë kompani kam kontratë tre vjeçare dhe prej një muaji kam në shitje singel-in e parë të titulluar "Dream World". Është këngë ritmike, shumë e gjallë dhe është pritur shumë mirë nga publiku. Gjithashtu në muajin që shkoi përfundova dhe videospotin tim."
Por natyrisht suksesi i muajve të fundit për Doruntinën nuk është befasi. Prej vitesh ajo e ndjek muzikën, programet muzikore dhe merr pjesë në aktivitete të ngjashme.
"Më ka ndihmuar shumë dhe pjesëmarrja ime që e vogël në festa të ndryshme si ato shqiptare dhe norvgjeze. Kështu që komunikimi me publikun nuk është problem. Jam shumë e lirë në skenë", tregon Doruntina.
Megjithatë për vajzën, zërin e së cilës tashmë e gjen në shumë radio norvegjeze dhe në emisionet e ndjekura nga të rinjtë vendas, rruga nuk ka qenë e lehtë. Familja e saj ka mbërritur në Norvegji në gushtin e vitit 1992, atëherë kur Kosova, vendlindja e Doruntinës, zhytej në terrin e aparteidit.
Ndaj ajo sot përveç këngës kërkon të dërgojë dhe mesazhin tjetër; se këngëtarja me një të ardhme premtuese e jo pak suksese për moshën, është një shqiptare në Norvegji:
"Kam qef t'i tregojë krejt Norvegjisë se jam shqiptare dhe sa shumë shqiptarë kanë arritur në botën e jashtme", thotë Doruntina, e cila ndonëse mund të mos t'i ketë ndier drejtpërdrejtë vështirësitë e të qenit emigrant, i ka ndjerë në shqetësimet dhe merakun e prindërve. Për Osman Dishën, të atin e Doruntinës, suksesi i saj ka një tjetër kuptim:
"Isha ndërlidhur se jeta e një emigranti është e vështirë. Prandaj suksesi jashtë vendit e ka peshën e dyfishuar krahasuar me një sukses të madh brenda vendit. Ky është një sukses i madh, jo vetëm për Doruntinën e për ne si familje, por dhe për shqiptarët, ashtu si jemi edhe ne krenarë për çdo shqiptar që arrin suksese të lakmueshme, jo vetëm në muzikë, por dhe në lëmi të tjera", thotë zoti Disha.
Por Doruntina është vajza mirënjohëse, që e do vendlindjen e saj, Kosovën, por ndihet mirë dhe në Norvegji, ku shokët e kanë mbështetur në rrugën e nisur, derisa publiku e ka mirëpritur edhe pse e huaj.
"Po, gjithmonë më kanë pyetur për emrin se është pak interesant Doruntina. Por gjithmonë ka pasur reagime pozitive jo negative. Nuk kam pasur asnjë problem që jam e huaj e nuk jam norvegjeze. Ndoshta dhe pse janë bërë shumë norvegjez e kur vjen një e huaj hapen më shumë se kanë dëshirë diçka të ndryshme", tregon Doruntina, e cila megjithatë vazhdon të hedhë hapa të sigurta në karrierrën e saj të re muzikore. Planet për koncerte të ardhshme vetëm sa kanë filluar:
"Unë dhe kompania ime tash kemi marrë ofertën për të marrë pjesë në një festival me këngëtarë të rinjë në Nisë të Francës në muajin prill të vitit të ardhshëm."
Rruga e muzikës është një rrugë e gjatë, derisa vënja e baraspeshës mes artit shkollës dhe jetës së përditshme, mes Norvegjisë dhe vendit të origjinës, nuk janë detyra të lehta. Por prindërit e Doruntinës janë aty për ta mbështetur gjithmonë:
"Ka arritur në saj të talentit, por dhe përkrahja jonë nuk ka munguar. Përkrahja e prindërve jashtë është shumë më e nevojshme, do thoja dy - tre herë më e nevojshme se në atdhe", thotë zoti Disha.
Por megjithë ëndërrat për këngën komunikimi me njerëzit mbetet dëshira e madhe e 17 vjeçares:
"Më pëlqen shumë psikologjia dhe më pëlqen të punojë e studiojë diçka që lidhet me njerëzit dhe komunikimin. E dua shumë."
Por Dorunitna, edhe pse në mes të gjithë këtyre projekteve, nuk harron të thotë se një koncert në Kosovë do të ishte i mirëpritur:
" Ndoshta shkoj në Kosovë për koncert, nëse dhe atje e mirëpresin këngën time. Po, ndoshta vij dhe e bëj një koncert", thotë Doruntina pa iu ndarë buzëqeshja.

Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG