Ndërlidhjet

ROSSIN: STREHIMI I BANORËVE TË PLEMETINIT DËSHMON SERIOZITETIN E QEVERISË


Vihet gurthemeli i 36 banesave për banorët e kampit të Plemetinit.

Banorët e kampit të Plemetinit, dimrin do ta presin në banesa të reja. Kështu ka thënë se paku kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, i cili i shoqëruar nga zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin, ka hedhur disa lopata me beton në themelet e ndërtesës ku do të vendosen 36 familje nga 114 sa ka aktualisht ky kamp. Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, u tha banorëve romë, egjiptas e ashkalinj të këtij kampi se qeveria është e vetëdijshme se lufta ka lënë pasoja dhe i ka prekur të gjithë, por një pjesë e njerëzve kanë vazhduar t’i vuajnë pasojat edhe gjashtë vjet pas luftës:
"Qeveria e Kosovës me këtë vendim dëshiron ta zgjidhë problemin e njerëzve të Kosovës dhe dëshiron të japë mesazhin se qeveria është e interesuar t’i eliminojë të gjitha pasojat e luftës, që asnjë njeri të mos vazhdojë të vuajë për shkak të luftës dhe për shkak të robërisë së gjatë që ka mbretëruar në Kosovë."
Kryeministri Kosumi shtoi se kampe si ky i Plemetinit janë fotografia më e keqe e Kosovës, prandaj sot është ndërmarrë një veprim për ta ndryshuar këtë. Edhe zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin, tha se vendimi i qeverisë për të dhënë 200 mijë euro për ndërtimin e godinës së banimit për banorët e deritashëm të kampit është një veprim konkret, çfarë UNMIK-u ka kërkuar nga qeveria e Kosovës:
"Ka edhe të tjerë në Serbi dhe brenda Kosovës, njerëz etnitetesh të ndryshme që ende po vuajnë pasojat e luftës dhe duhen ndërmarrë veprime për të eliminuar sa më shumë që të jetë e mundur këto pasoja", tha zoti Rossin duke bërë të ditur se edhe UNMIK-u ka dhënë 200 mijë euro për këtë qëllim, duke ndjekur shembullin e Qeverisë së Kosovës. Zoti Rossin e quajti këtë një veprim të rëndësishëm të qeverisë:
"Mendoj se është një shenjë për ne lidhur me seriozitetin me të cilin qeveria po përballet me sfidat që ka Kosova", tha zëvendësshefi i UNMIK-ut, Larry Rossin. Këtë konstatim të tij e ka mbështetur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziri, përfaqësues i komunitetit egjiptas:
"Edhe një herë, institucionet e Kosovës janë duke treguar gatishmërinë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë dhe t’u krijohen kushte të barabarta."
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka vendosur që 200 mijë euro të mbetura nga shqyrtimi gjashtëmujor i buxhetit të Kosovës të jepen për ngritjen e një ndërtese për strehimin e banorëve të Plemetinit, ku do të vendosen 36 familje, ndërsa një ndërtesë tjetër do të ngrihet në Lipjan për 19 familje. Në kampin e Plemetinit që nga përfundimi i luftës jetojnë 114 familje rome, ashkali dhe egjiptase me 468 banorë. Udhëheqësi i këtij kampi, Bajrush Gashi tha se deri më sot kishin menduar se janë të harruar nga të gjithë:
"Gjithmonë e kam kundërshtuar UNMIK-un si shtyllë të parë pasi kam menduar se për UNMIK-un ekzistojnë vetëm serbët dhe askush tjetër, por sot po e shoh se paskam pasur mendim të gabueshëm dhe edhe ne jemi pjesë përbërëse e Kosovës dhe shtet tjetër rezervë nuk kemi përveç Kosovës."
Mirëpo, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se qeveria dëshiron t’i japë fund vuajtjes së njerëzve në këtë kamp dhe duam që të gjithë qytetarët e Kosovës të jenë të lirë e të barabartë, pavarësisht nga gjuha që flasin, etnia të cilës i takojnë dhe dallimet e tjera:
"Të gjithë refugjatët të kthehen në tokat dhe pronat e tyre. Qeveria e Kosovës garanton sigurinë, bashkëjetesën dhe lirinë e të gjithë qytetarëve."
Mirëpo, kryeministri Kosumi tha se krijimi i kushteve për të gjithë nuk ka të bëjë me ndonjë politikë të keqorientuar të qeverisë apo me mungesë sigurie, por sipas tij, faktori kryesor që po e pengon realizimin e procesit të kthimit të të zhvendosurve është faktori financiar dhe mundësitë e kufizuara të buxhetit të Kosovës.

Rrahman Paçarizi





XS
SM
MD
LG