Ndërlidhjet

EIDE: DREJTUESIT KOSOVARË TË LUFTOJNË KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR


Ambasadori Kai Eide fillon turneun final në Kosovë

Me të zbritur në aeroportin e Prishtinës, ambasadori Kai Eide, i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, e ka cilësuar një hap të rëndësishëm përpara variantin B të planit të qeverisë së Kosovës për decentralizimin dhe ka porositur liderët e Kosovës të jenë në frontin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ambasadori Kai Eide ka arritur sot pasdite në Prishtinë në turnin e tij të fundit në misionin e vlerësimit të përgjithshëm të përmbushjes së standardeve dhe të situatës së përgjithshme në Kosovë, me qëllim të hartimit të një raporti, nga vlerësimi përfundimtar i të cilit do ta varet hapja ose jo e procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Zoti Eide tha se në këtë turne të fundit disa herë do të vijë në Kosovë dhe do të shkojë, ndërsa të shumtën e kohës do ta kalojë në Prishtinë, me ç’rast, marrëdhëniet ndëretnike do të jenë në qendër të vëmendjes:
"Natyrisht se unë do të shqyrtoj disa çështje ashtu si deri më tash dhe shumica e tyre kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike. Natyrisht se unë dua të shoh se çfarë po ndodh me decentralizimin, ku qeveria ka marrë një vendim të rëndësishëm", tha zoti Eide, për të tërhequr vërejtjen se raporti i tij megjithatë nuk ka të bëjë vetëm më marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve etnike. Kjo nuk ka të bëjë në tërësi me marrëdhëniet ndëretnike, por gjithashtu kjo ka të bëjë me kushtet themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës, ka thënë zoti Eide:
"Ata që janë më të zëshmit në kërkim të integrimeve dhe të investimeve, duhet të jenë po ashtu në frontin e gjetjes së rrugës për këtë, e kjo do të thotë se duhet të jenë edhe në frontin e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar", tha ambasadori norvegjez në NATO, Kai Eide. Eide është i njohur edhe për një raport lidhur me shkaqet e trazirave të marsit të vitit të kaluar, raport ky që nga qarqet politike vendore qe vlerësuar si shtytja kryesore për bartjen e kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet vendore. Zoti Eide tha sot se kishte qenë i dëshpëruar nga përparimi i ngadalshëm në disa fusha, por disa gjëra tashmë kishin ndryshuar:
"Unë e kam parë planin e ri dhe e vlerësoj këtë një hap dhe vendim shumë të rëndësishëm dhe do ta diskutoj këtë me të gjitha palët", tha Kai Eide, sipas të cilit qeveria e Kosovës i ka kuptuar drejt porositë e tij, të Grupit të Kontaktit dhe të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Javier Solana lidhur me decentralizimin.
Zoti Eide tha se gjatë këtij turni nuk do të diskutonte për statusin përfundimtar të Kosovës, pasi ky nuk ishte misioni i tij, por premtoi se sa më shpejt që të jetë e mundur do ta përgatisë raportin e tij:
"Nuk më takon vetëm mua të vendos se kur do të mund ta dorëzoj raportin tim, por kjo është një punë që u takon të gjithë atyre që punojnë këtu në Kosovë dhe kjo varet edhe nga ajo që ata bëjnë për të çuar procesin përpara", tha Eide, për të siguruar se nuk do të marrë asnjë ditë më shumë sesa nevojitet për ta finalizuar këtë punë.
Zoti Eide, që nga fundi i majit kur është emëruar në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të sekretarit Anan, dy herë ka qëndruar në Kosovë, me ç’rast ka takuar përfaqësues të ndryshëm politikë dhe institucionalë dhe ka vizituar vendbanime të ndryshme të Kosovës. Ambasadori Kai Eide tha se këtë herë të shumtën e kohës do ta kalojë në Prishtinë, duke biseduar me drejtues të ndryshëm të institucioneve dhe të partive politike.

Rrahman Paçarrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG