Ndërlidhjet

LIBERALIZIMI I SHKOLLËS SË LARTË, I NXITUAR APO NË KOHË?


Në ditët e fundit të punës saj, një prej akteve më të rëndësishme, por edhe më të diskutuara të Qeverisë Nano ishte vendimi për liberalizimin e pranimit në shkollën e Lartë.
Për herë të parë në Shqipëri, çdo nxënës që mbaron shkollën e mesme mund të ndjekë studimet e larta. Liberalizimi i arsimit të lartë ka qenë një premtim elektoral i dy forcave kryesore politike në Shqipëri. Por vendimi i ditëve të fundit, ka ngjallur debate për kohën dhe shpjetësinë me të cilën u mor. Përfaqësues të shkollës së Lartë, thonë se qeveria e ka marrë vendimin pa u konsultuar me ta dhe rektorë të universiteteve dhe fakulteteve janë të mendimit që një veprim i tillë, ndonëse i domosdoshëm, është gjithsesi i nxituar. Eshtë koha kur nxënësit kandidatë për në shkollën e lartë përgatiten për konkurset e pranimit. Liberalizimi, jo domosdoshmërisht do të thotë se mund të studiosh në Fakultetin që preferon. Për shkak se kërkesa është më e madhe se oferta, degë të tilla si juridiku, mjekësia, gazetaria do të vijojnë me sistemin e konkurseve. Para këtij vendimi qeveria vendosi hapjen e tre universiteteve të reja, në Durrës, Berat dhe Fier. Kështu numri i Universiteteve publike në Shqipëri arrin numrin 15. Me këtë panoramë mund të thuhet se është arritur masivizimi, i vetmi problem, por jo pak i rëndësishëm mbetet cilësia. Për të arritur deri këtu duhen plotësuar tre kushte; ambientet, programet dhe pedagogët. Nën shembullin edhe të universiteteve të huaja, por edhe të një praktike që tashmë është e pranishmë në Shqipëri, ambientet aktuale mund të shfrytëzohen me dy turne, paradite dhe pasdite. Përvoja e Fakultetit Ekonomik dhe të Shkencave Sociale është për tu përshëndetur, por nuk është çelësi që hap të gjitha dyert. Si për universitetet e reja, qoftë edhe për ato ekzistuese, ambientet janë një problem për të cilën nuk është menduar zgjidhja. Po kështu duhet shtuar personeli pedagogjik. Në fillim të këtij viti arsimi i lartë në Shqipëri u paralizua për javë të tëra nga një grevë e pedagogëve që kërkonin rritje të pagave dhe decentralizim të mjeteve financiare. E përkthyer në terma konkretë do të thotë më shumë para: vendimi i qeverisë nuk është paraprirë nga ndonjë studim dhe askush sot nuk është në gjendje të thotë se cila është fatura financiare e liberalizimit. Partia Demokratike gjatë fushatës elektorale, ka premtuar që fondet për arsimin do të kenë një peshë më të madhe në buxhetin e shtetit. Nga 2.8% të GDP-së që është aktualisht, do të shkojë në 4%. Në programin e Partisë Demokrate të Re, parti që mendohet se do të drejtojë këtë dikaster, synimi është që arsimi do të zerë 6% të GDP. Por problemi nuk shtrohet thjesht tek fondet! Mund të gjenden ato, por kjo nuk do të thotë se janë zgjidhur problemet e arsimit, probleme që as fillojnë dhe as mbarojnë tek shkolla e lartë. Reforma mjediset, programet dhe pedagogët, janë baza për të rritur cilësinë e arsimit shqiptar. Miti i shkollës së fortë në sistemin tetë vjecar dhe atë të mesëm, megjithëse është ende i gjallë po sfidohet dita ditës nga realiteti. Shkolla nuk po i përgjigjet dot kërkesave të kohës. Një rakordim më i mirë i kërkesave të tregut me shkollën do t'a bëjë më të vlefshme diplomën e studentit. Duke parë problemet e shumta që ka aktualisht shkolla e lartë dhe mungesën e përgatitjeve për të hapur dyert për të gjithë, vendimi më i fundit i qeverisë, në vend që të duartrokitej, është zëvendësuar me ngritje supesh dhe vetullash si nga stafi universitar, si nga ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta, por edhe nga një pjesë e shoqërisë. Nuk mjafton vetëm të thuash liberalizim, që kjo fjalë të marrë kuptimin e plotë, të tilla duhet të ishin edhe përgatitjet. Sidoqoftë javët dhe muajt në vijim do të krijojnë një tablo më të plotë për pasojat e vendimit më të fundit të qeverisë.

Lutfi Dervishi

XS
SM
MD
LG