Ndërlidhjet

DECENTRALIZIMI FILLON NË KOMUNAT QË JANË TË GATSHME PËR KËTË PROÇES


Qeveria ende pret vendimin e komunave provuese me shumicë serbe rreth decentrali

Qeveria e Kosovës ende është në pritje të vendimit të serbëve për të filluar jetësimin e pilot-njësive në vendbanimet me shumicë serbe, ka thënë sot ministri i pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri. Ai ka shfaqur shpresën se angazhimi i tij dhe i qeverisë rreth decentralizimit do të zërë vendin e merituar në raportin e ambasadorit Kai Eide. Këto komente ministri Haziri i ka bërë pas një takimi që ka mbajtur sot me kryeshefat e qeverive të komunave të Kosovës.
Ministri Lufti Haziri tha se puna kryesore e jetësimit të njësive provuese, tash mbetet emërimi i këshilltarëve komunalë, para së gjithash një njësitë provuese me shumicë serbe, Graçanicë dhe Partesh, por kjo punë nuk mund të bëhet pa pasur një qëndrim të qartë pozitiv të serbëve vendorë:
"Me vetë faktin që ende nuk ka një qëndrim zyrtar të serbëve lokalë në Kosovë, ndërsa qëndrimi zyrtar i padronëve të tyre si duket ekziston dhe është kundër pjesëmarrjes në këtë proces, unë do të punoj me ta që të bëhen pjesë e procesit, ndërsa në proces e sipër të marr edhe propozimet e tyre", tha zoti Haziri, për të precizuar se ata kanë të drejtë vetëm të propozojnë, ndërsa nominimi është pjesë e verifikimit të listave, pjesë e procesit që është vënë si detyrim para se të bëhet emërimi final. Sidoqoftë, ministri i pushtetit lokal Lufti Haziri tha se fillimi i jetësimit të pilot-njësive të tjera nuk do të mbetet peng i vendimit të banorëve të njësive me shumicë serbe:
"Do të vazhdojë me ato njësi që janë të gatshme, të vullnetshme dhe kooperative. E kam thënë më herët dhe dua ta konfirmoj edhe tash se unë nuk detyroj që ofertën e qeverisë së Kosovës, si pjesë e vendimit t’ua ofroj njerëzve që nuk duan ta pranojnë. Unë do të punojë vetëm me ata njerëz që janë të gatshëm dhe të vullnetshëm të punojnë dhe instalimi i këtyre organeve do të bëhet vetëm me ata njerëz që janë të vullnetshëm me pranu dhe me bashkëpunu..."
Ministri Lufti Haziri, ditë më parë ka prezantuar një variant të dytë të planit të decentralizimit që ka marrë mbështetjen e Grupit të Kontaktit, në bazë të të cilit edhe janë nënshkruar vendimet ekzekutive për përkufizimin territorial të pesë njësive provuese. Ky vendim i qeverisë është përshëndetur edhe nga ambasadori Kai Eide që dje ka nisur turneun e fundit të misionit të tij si i dërguar i posaçëm i sekretarit Kofi Anan për vlerësimin e përgjithshëm të situatës në Kosovës, para fillimit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Ministri Haziri tha se shpresonte për një vlerësim pozitiv lidhur me decentralizimin:
"Unë e kam bërë punën time, ndërsa ambasadori Eide është i pavarur në misionin e tij. Puna ime ka pasur të bëjë me ekip, me punën e qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera, me të cilët jemi harmonizuar gjatë kësaj kohe, duke përfshirë edhe liderët serbë", tha Haziri, për të shtuar tani është çështje e zotit Eide për të vlerësuar këtë angazhim të qeverisë për zbatimin e pilot-njësive dhe besoj se kjo pjesë do të gjejë vendin e merituar në raportin e tij.
Në anën tjetër, ministri i pushtetit lokal Lutfi Haziri tha se po bëhen angazhime serioze në luftën kundër dukurive korruptive që janë pjesë e politikave komunale, për zbatimin e ligjit dhe moslejimin e ndërhyrjeve për motive të caktuara në administratën lokale.

Rrahman Paçarrizi

XS
SM
MD
LG