Ndërlidhjet

KUHNER: FAKTET NË TERREN DO VENDOSIN TË ARDHMEN E KOSOVËS


Jeffrey Kuhner nga Fondacioni Ripon, Uashington

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuhner vjeshta po afrohet dhe ethet e bisedimeve për statusin janë të pranishme në Kosovë. Cila do të jetë strategjia e Uashingtonit gjatë këtyre bisedimeve?

JEFFREY KUHNER
Mendoj se strategjia do ketë disa përbërës. Më e rëndësishmja është se Uashingtoni do të sigurojë se të drejtat e shqiptarëve të Kosovës do të garantohen në çdo lloj bisedimesh të mundshme. Së dyti ata duan të paraqesin konceptin e autonomisë graduale për Kosovën që eventualisht çon drejt pavarësisë. Së treti mendoj se Shtetet e Bashkuara duan të krijojnë një kornizë në bazë të së cilës paqeruajtësit mund të largohen dhe Kosovës do t'i lejohet të jetë një njësi që vetqeveriset.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me llojin e bisedimeve a do t ëkemi nëj konferencë ndërkombëtare apo diç tjetër?

JEFFREY KUHNER
Uashingtoni ende nuk ka vendosur përfundimisht për llojin e bisedimeve. Por nga burimet e mia mund të them se ajo që ata dëshirojnë janë bisedime shumëpalëshe si dhe duan të sigurojnë se një autonomi në rritje e Kosovës do të bëhet me mbështetjen e fuqive rajonale dhe pa diskutim me një lloj pajtimi nga Beogradi. Kjo e fundit ka për të qenë pengesa më e vështirë. Të dyja, si qeveria e Koshtunicës dhe presidenca e Tadiçit e kundërshtojnë pa kompromis pavarësinë e Kosovës dhe mendoj se të kesh Beogradin në rrugën e duhur do jetë një sfidë e madhe. Mënyra se si Uashingtoni kërkon ta përfshijë Beogradin është përmes pjesëmarrjes në bisedime për çështje afatshkurtra si mbrojtja e pakicës serbe në veri të Kosovës e ndoshta shtimi i marrëdhënieve tregtare mes Beogradit dhe Kosovës. Pra një morri hapash që do të rrisnin besimin e autoriteteve në Beograd. Por ajo që do theksoja për dëgjuesit tuaj është se pavarësisht nga formati i negociatave dhe vendit ku do mbahen ajo që do të vulosë të ardhmen e Kosovës do jenë faktet në terren. Dhe ato flasin se shumica e qytetarëve të Kosovës janë shqiptarë, të cilët pavarësisht cilës rrymë politike i përkasin, bien dakord në një pikë se Kosova duhet të marrë pavarësinë. Dhe bazuar në këtë realitet bashkësia ndërkombëtare e veçanërisht Shtetet e Bashkuara do të përmbushin dëshirën e shqiptarëve për liri dhe vetvendosje.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kohë do të marrë deri në përcaktimin përfundimtar të statusit, kur ju përmendët se Uashingtoni mund të ndjekë strategjinë e disa fazave.

JEFFREY KUHNER
Mendoj se Shtetet e Bashkuara po shohin një periudhë 5 deri në 7 vjeçare, ku për çdo 8 deri në 12 muaj duhen arritur disa objektiva konkrete në terren. Këtu përfshihen kalimi i më shumë pushteti tek qeveria në Kosovë, kjo nënkupton pasjen e flamurit të tyre, parlamentin, forcat e tyre të sigurisë, doganat e pavarura etj. Mendoj se hap pas hapi do t'i jepet më shumë autonomi, derisa ndërmjetësuesit do shohin për mundësi të shtuara për mbrojtjen e pakicave në veri. Nëse kjo e fundit do ketë mbështetjen e plotë të autoriteteve në Prishtinë atëherë besoj se për Beogradin do jetë shumë e vështirë të kundërshtojë ecjen përpara të proçesit dhe të kërkojë rivënjen e kontrollit ndaj Kosovës. Pra ky proçes, me të gjitha fazat, do marrë 5-7 vjetë dhe personalisht mendoj se në vitin 2010 –2012 Kosova do të jetë një vend i pranuar nga bashkësia e shteteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa të afërta apo të ndryshme janë qëndrimet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian lidhur me statusin e Kosovës?

JEFFREY KUHNER
Ka disa dallime mes BE –së dhe SHBA-ve. Shtetet e Bashkuara janë më shumë pro pavarësisë dhe kërkojnë ta shpejtojnë proçesin, ndërsa Bashkimi Evropian është më shumë i shqetësuar për përplasjet e mundshme me Beogradin. Shumë burokratë në Bashkimin Evropian në thellësi të shpirtit nuk do donin të shihnin një Kosovë të pavarur, por do donin që ajo të ishte një provincë autonome e Serbisë. Nga ana tjetër ata e dinë se kjo është jorealiste. Ajo që po sheh Bashkimi Evropian është në fakt një rënje përqark idesë së pavarësisë duke dëshiruar që ta shohë Kosovën eventualisht të integruar në Bashkimin Evropian. BE do kërkojë marrëdhënie ekonomike më të ngushta mes Prishtinës e Beogradit si dhe më shumë bashkëpunim mes tyre për çështje që prekin gjithë rajonin. Por tek e fundit BE-ja dhe SHBA-të do jenë të dëtyruara të bien dakord për atë që Kosovës duhet t'i jepet pavarësia.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht a shihni ndonjë pengesë në bisedimet për statusin dhe nëse po cilat janë?

JEFFREY KUHNER
Pengesa më e madhe që shoh aktualisht është sjellja e qeverisë së tashme në Beograd. Ata janë bërë më kundërshtues në gjashtë muajt e fundit, derisa aleatët e afërt të Millosheviçit po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në Serbi, përfshi dhe sektorët kyç të qeverisë. Kemi forcat politike nacionalste, siç janë radikalë,t që po forcohen, ndaj Beogradi ndihet gjithnjë e më shumë dyshues për t'u përfshirë në çfarëdo bisedash për statusin, për më tepër nëse opcioni i pavarësisë do jetë në tryezë. Megjithatë mendoj se tek e fundit ata do jenë të detyruar të përfshihen në bisedime për shkak të krizës së rëndë ekonomike me të cilën përballet Serbia. Kjo e ka bërë Beogradin që të varet nga ndihmat e huaja derisa vendi po shkon drejt një destabilizimi në rritje. Kështu që ëndërra për të mbajtur Kosovën dhe për të skllavëruar disa miliona shqiptarë kundër vullnetit të tyre është aq jorealiste dhe kundër interesave afatgjata kombëtare serbe që ndoshta do bëjë që zërat e arsyes dhe qytetërimit do të triumfojnë.

Intervistoi Ilirjana A Bajo

XS
SM
MD
LG