Ndërlidhjet

NOWICKI: “KOSOVA KA NEVOJË PËR NJË GJYKATË PËR TË DREJTAT E NJERIUT”


Intervistë me Ombudspersonin e Kosovës, Marek Antoni Nowicki

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Novicki, ju jeni emëruar si Ombudsperson në korrik të vitit 2000. Si udhëheqës i një zyre që merret me çështjet e të drejtave të njeriut, si do ta vlerësonit ju gjendjen e deritashme të të drejtave të njeriut?

MAREK ANTONI NOWICKI
Në përgjithësi, mendoj se situata në fushën e të drejtave të njeriut, edhe pse kemi parë përmirësime të caktuara, vazhdon të ketë një hendek serioz, vecanërisht nëse krahasohet me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Duhet bërë edhe shumë përpjekje për të qenë në gjendje të flasim më mirë për këtë situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në disa raste të mëparshme ju keni qenë skeptik lidhur me kthimin e personave të zhvendosur nga rradhët e komuniteteve pakicë. A ka ndryshuar qëndrimi juaj?

MAREK ANTONI NOWICKI
Nuk shoh arsye për ta ndryshuar këtë qëndrim, të cilin e kam prej kohësh, madje edhe në periudhën kur Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera kanë shprehur entuziazmin e tyre për procesin e kthimit I cili ka shumë pengesa. Kur flasim për numrat e personave që janë kthyer dhe kur ato krahasohen me numrin e personave që janë zhvendosur, atëherë numri I të kthyerve është modest. Një cështje tjetër të cilën do të doja ta nënvizoja është se nuk ka perspektivë për një kthim të qëndrueshëm nëse nuk ka kthim në rajonet urbane, në qytete. Është popullata që jeton në qytet ajo që I jep forcë një komuniteti. Dhe për momentin, derisa po flasim për kthimin në vendet urbane, më duhet të them se nëpër qytete janë kthyer vetëm disa individë dhe në këtë drejtim nuk ka asgjë tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Po ku mendoni se qëndrojnë pengesat kryesore?

MAREK ANTONI NOWICKI
Ka shumë faktorë që duhet të merren ne konsiderim, megjithatë situata e sigurisë në Kosovë nuk është edhe aq trimëruese. Sipas mendimit tim, në këtë drejtim duhet bërë edhe më shumë. E them këtë për faktin se kjo është një cështje që natyrisht nuk mund të zgjidhet brenda natës dhe më shumë ka të bëjë me ndryshimin e klimës së përgjithshme. As situata ekonomike në Kosovë nuk është duke ndihmuar në këtë drejtim. Për të pasur një jetë normale fillimisht duhet pasur kushtet, pra mjetet jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të pasur një jetë normale. Dhe një cështje që luan një rol të rëndësishëm është edhe cështja e statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nowicki, në paraqitjet tuaja të fundit publike, ju keni ngritur domosdoshmërinë e themelimit të një Gjykate për të Drejtat e Njeriut. Pse ka Kosova nevojë për një gjykatë të këtillë?

MAREK ANTONI NOWICKI
Kjo nuk është vetëm një ide e imja, kjo ide fillimisht është shprehur nga parlamentarët e Këshillit të Evropës në janar të këtij viti. Një factor që është marrë në konsiderim sa I përket kësaj cështjeje është mungesa e qasjes së qytetarëve të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Pjesa tjetër e Evropës ka mundësinë që të ankohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg, në bazë të Konventës Evropiane për të Drejtat, ndërkaq Kosova për shkak të statusit të saj, nuk e ka këtë mundësi. Prandaj, për të pasur një drejtësi mbi të drejtat e njeriut, duhet shqyrtuar një zgjidhje të përkohshme në këtë drejtim dhe një prej opsioneve që është diskutuar dhe së fundi edhe është rekomanduar nga Asambleja Parlamentare është ajo e themelimit të një gjykate të këtillë ndërkombëtare vetëm për Kosovën dhe situatës specifike në të cilën gjendet ajo.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas mandatit tuaj, zyra juaj kryesisht mban përgjegjës autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në rastet ku ato shkelin të drejtat e qytetarëve. Në këtë kuadër, cilat janë vështirësitë kryesore me të cilat jeni përballur deri më tash?

MAREK ANTONI NOWICKI
Deri vonë, rastet me të cilat është marrë institucioni ynë kanë qenë të lidhura me administratën e Kombeve të Bashkuara, me UNMIK-un, ne nuk kemi kompetenca mbi KFOR-in. Por, kjo situatë tash është duke ndryshuar. Një numër I konsiderueshëm rastesh tash lidhet me atë se cfarë është duke bërë administrata kosovare, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Nuk mund të them se bashkëpunimi me të gjitha nivelet e autoriteteve kosovare është në nivelin që do të doja të ishte. Madje, mund të them se ka komuna të caktuara që nuk bashkëpunojnë fare me insistitucionin tonë. Njëra prej tyre, të cilën unë e konsideroj si rast flagrant, është komuna e Prishtinës. Unë shpresoj se në fund, kjo komunë do ta kuptojë se mungesa e bashkëpunimit me Ombudspersonin është një minus I madh nga pikëpamja e atyre që do ta vlerësojnë nivelin e përmbushjes së standardeve për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi ju i keni dërguar një letër Misionit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën keni kritikuar veprimet e policisë ndërkombëtare dhe vendore në raport me aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosja”. Pse mendoni se forcat e rendit kanë vepruar në mënyrë joadekuate?

MAREK ANTONI NOWICKI
Unë shpresoj se ata kanë vepruar kësisoji për shkak se nuk kanë pasur një pasqyrë se si duhet reaguar ndaj një fenomeni kaq të ri në Kosovë. Reagimi im I parë ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” ishte se Kosova ka filluar t’I kthehet një gjendjeje normale. Cështja që është ngritur ka të bëjë me slloganet që janë shkruar në muret e ndërtesave publike, por këto veprime mund të dënohen vetëm mbi këtë bazë dhe jo për mesazhin që përmbajnë slloganet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fillim të kësaj bisede thamë se ju jeni në Kosovë tash e pesë vjetë me rradhë. Kur mendoni se ky institucion do të jetë i gatshëm t’i bartë përgjegjësitë e veta në duart e autoriteteve vendore?

MAREK ANTONI NOWICKI
Sipas mendimit tim, Ombudspersoni Ndërkombëtar në Kosovë është ende I nevojshëm edhe pas fundit të këtij viti, por vendimi tashmë është marrë. E vetmja gjë që më ka mbetur tash është të ndihmoj në procesin e përgatitjeve që këtë institucion do ta cojnë në drejtimin e duhur. Për arsyet që unë I kam përmendur shumë herë edhe në opinion, Kosova dhe qytetarët e saj ende kanë nevojë për një Ombudsperson I cili nuk është nga këtu dhe I cili do t’i informonte ashtu sic duhet organizatat ndërkombëtare dhe shtetet që kanë interes të përbashkët në Kosovë mbi situatën aktuale nga pikëpamja e një Ombudspersoni ndërkombëtar dhe të pavarur.

Intervistoi: Arbana Vidishiqi

XS
SM
MD
LG