Ndërlidhjet

SURROI E JESSEN PETERSEN KËRKOJNË NGA RUGOVA TË NDËRTOJË FORUMIN DHE KONSENSUSIN


Prishtina duhet të shpejtojë me përgatitjet e saj për bisedimet për statusin e Kosovës, ka deklaruar shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen. Këto komente, Petersen i bëri pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e partisë politike Ora, Veton Surroin. Ndërkohë që subjektet politike shqiptare kanë vendosur dje që takimi i paraparë për sot i Forumit politik të shtyhet deri më datën 2 shtator, Petersen kërkoi nga vendorët që deri atëherë të mos e kalojnë kohën vetëm duke biseduar, por t’i ndërmarrin veprimet konkrete për caktimin e pesë grupeve të ekspertëve që do t’i përgatisin bisedimet dhe që deri atëherë të merren vesh për caktimin e një koordinatori të këtyre grupeve:
“Para së gjithash, përgatitjet për bisedimet lidhur me statusin duhet të përshpejtohen dhe së dyti unë e kam bërë të qartë që nga dita kur e kemi formuar Forumin që kur të vijë koha e bisedimeve për statusin, UNMIK-u nuk mund të përfshihet aty drejtpërdrejtë, ngase kjo është çështje që u takon partive politike të Kosovës”, tha Jessen-Petersen. Duke pasur parasysh rolin në zvogëlim e sipër të UNMIK-ut si lehtësues i takimeve në Forum ndërmjet partive kosovare, Petersen e Surroi kanë dalur me idenë që gradualisht këtë rol lehtësues me qëllim të arritjes së konsensusit të brendshëm politik në Kosovë ta marrë presidenti Ibrahim Rugova:
“Kryetari Rugova ka një obligim kushtetues dhe një pozitë kushtetuese çfarë ne duhet ta respektojmë, e ajo është unifikues, pra përfaqëson unitetin e popullit dhe procesi i ndërtimit të mëtutjeshëm i Forumit duhet të kalojë gradualisht me një shpejtësi te kryetari Rugova”, tha Surroi.
Me idenë e Surroit në parim është pajtuar edhe Jessen-Petersen:
“Unë pajtohem me Veton Surroin për rolin që presidenti duhet të ketë duke pasur parasysh se Forumi nuk i zëvendëson institucionet, por ai ka si qëllim arritjen e konsensusit çka i lehtëson proceset aktuale politike në Kosovë”, tha shefi i UNMIK-ut. Pavarësisht shtyrjes së takimit të Forumit, Petersen tha se ende nuk sheh arsye që qeveria të ngutet me formimin e grupeve punuese siq është zotuar ditë më parë kryeministri Bajram Kosumi, pasi që kështu do të rrezikohej konsensusi i arritur në Forum.
Sekretariati i Forumit, i cili mbledh në vete përfaqësuesin e presidentit dhe përfaqësuesit e katër partive më të mëdha politike në Kosovë, ka kërkuar dje edhe një javë afat për të përgatitur mbledhjen e radhës së Forumit, respektivisht për të propozuar emrat e ekspertëve që do të punojnë në grupet punuese dhe për të propozuar koordinatorin e këtyre grupeve. Ndërkohë që Petersen u ka tërhequr vërejtjen kosovarëve që të jenë të përgatitur mirë për bisedime duke vlerësuar se procesi i negociatave për statusin nuk do të jetë i lehtë pasi që pala kosovare, sipas tij do të duhet të jetë e përgatitur edhe për kompromis.

Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG