Ndërlidhjet

PROTESTOHET PRANIA E SHEFIT TË SHTATMADHORISË SË USHTRISË SË SMZ NË NDËRRIMIN E KOMANDËS SË KFOR-IT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

E ardhmja e Kosovës është paqja, toleranca dhe stabiliteti, ka thënë sot komandanti i derisotëm i forcës paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali francez Yves De Kermabon, me rastin e dorëzimit të komandës me mbi 17 mijë trupa paqeruajtëse gjeneralit italian Giussepe Valotto. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm udhëheqësit më të lartë ushtarakë të NATO-s, si komandanti suprem për Evropën, gjenerali James Jones, komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Harry Ulrich, ministrat e mbrojtjes të Francës e Italisë, si dhe udhëheqës të institucioneve vendore dhe të atyre ndërkombëtare në Kosovë.
Gjenerali Yves De Kermabon tha se ishte i kënaqur nga përmbushja e misionit për ruajtjen e paqes, që e kishte udhëhequr gjatë një viti, duke u mbështetur në mirëkuptimin e popullatës:
"Mirëkuptimi i popullatës së Kosovës është parakushti më thelbësor me qëllim të përmbushjes së duhur të misionit dhe çelësi që e mundëson këtë është dialogu, i cili është çelësi i sigurisë që parandalon keqkuptimet," tha gjenerali Yves De Kermabon, sipas të cilit paqja dhe mirëkuptimi janë e ardhmja e Kosovës.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandave të forcës paqeruajtëse ka folur edhe komandanti i shtabit të Bashkuar të NATO-s me seli në Napoli, admirali Harry Ulrich, sipas të cilit KFOR-i nën udhëheqjen e gjeneralit Kermabon ka arritur suksese të konsiderueshme dhe ndër rezultatet e rritjes së efikasitetit është edhe plani i NATO-s për ristrukturimin e forcës paqeruajtëse:
"Ristrukturimi është vetëm ristrukturim i shtabeve që egzistojnë dhe aktualisht janë brigada, dhe të cilat do të shndërrohen në njësi vepruese," tha admirali Ulrich, duke premtuar se këto ndryshime do të shtojnë efikasitetin e KFOR-it. Ai po ashtu ka thënë se komandën e forcës paqeruajtëse po e merr po ashtu një lider i dëshmuar.
Pas ndërrimit të komandave, Ministrja franceze e Mbrojtjes, Michelle Alliot Marie, tha se Kosova po hyn në një periudhë të ndjeshme pasi së shpejti do të publikohet raporti për përmbushjen e standardeve dhe pastaj do të fillojnë diskutimet për përcaktimin e statusit:
"Këto gjithmonë janë periudha të ndjeshme, pasi gjithmonë ka rrezik që ekstremistët të përpiqen të ndikojnë për të penguar jetësimin e ngjarjeve dhe të vendimeve," tha Michelle Alliot Marie, ndërkohë që homologu i saj italian, Antioni Martino, tha se Italia është e përkushtuar për përmbushjen e këtij misioni:
"Është me rëndësi vendimtare që të sigurojmë vazhdimësinë e pranisë së NATO-s për të garantuar kushtet e kërkuara nga Kombet e Bashkuara," tha Ministri italian i Mbrojtjes Antonio Martino.
Për herë të parë që nga ardhja e forcave paqeruajtëse në Kosovë, në ceremoninë e nëntë me radhë të ndërrimit të komandave të KFOR-it, ka marrë pjesë edhe një zyrtar i lartë i ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi. Shefi i Shtatmadhorisë së kësaj ushtrie, gjenerali Dragan Paskash, tha se ftesa e gjeneralit Kermabon drejtuar atij është në rendin e bashkëpunimit të mirë të deritashëm:
"Me komandantin e KFOR-it kam vënë kontaktet e para dhe do të takohemi në tetor në nivelin më të lartë për të vazhduar bashkëpunimin e mirë për shkëmbimin e informatave lidhur me gjendjen në Kosovës dhe në Zonën Tokësore të Sigurisë," tha gjenerali Paskash, për të vlerësuar se ky është përfundimi i një bashkëpunimi të mirë dhe vendosja e një bashkëpunimi po aq të mirë në të ardhmen.
Në ceremoninë e sotme, për herë të parë nuk kanë marrë pjesë përfaqësues të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, të Shërbimit Policor të Kosovës, si dhe përfaqësues të partive opozitare, por edhe drejtues të lartë të partive politike, anëtarë të koalicionit qeverisës.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka shprehur indinjatën dhe mospajtimin e saj të thellë për ftesën dhe pjesëmarrjen e shefit të Shtatmadhorisë të Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it.
Qeveria e Kosovës vlerëson se pjesëmarrja në këtë ceremoni e një gjenerali të një ushtrie, e cila ka kryer krime të rënda në Kosovë dhe deri më sot as nuk ka kërkuar falje dhe as nuk është reformuar, është një akt fyes për ndjenjat e qytetarëve dhe njëkohësisht një akt i papranueshëm për ne, thuhet në komunikatë, duke bërë me dije se qeveria as është konsultuar dhe as është informuar për këtë vendim të gjeneralit Yves de Kermabon. Megjithatë qeveria ka vendosur që prezenca e tij nuk duhej të ishte shkak që qeveria të mos merrte pjesë në një manifestim të Kosovës, që mbahej në kryeqytetin e saj dhe lidhej ngushtë me lirinë e saj.Për këtë arsye, zëvendëskryeministri Adem Salihaj ka shkuar me vonesë në ceremoni dhe nuk ka qëndruar në koktejin e organizuar pas ceremonisë.
Për mospjesëmarrjen në ceremoni, një sqarim ka bërë edhe komandanti i TMK-së, gjenerali Agim Çeku, tha zëdhënësi i TMK-së, kolonel Shemsi Syla:
"Komandanti i TMK-së gjeneral lejtnant Agim Çeku dhe drejtuesit e tjerë të TMK-së, përkundër dëshirës së tyre janë detyruar të mos marrin pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandantit të KFOR-it, për shkak të pranisë në këtë ceremoni të shefit të Shtabit të Ushtrisë Serbo Malajzeze".
Kolonel Syla tha se ushtria e Serbisë dhe Malit të Zi është një ushtri që ka kryer krime në Kosovë dhe që strehon të dyshuarit e Hagës për krime të luftës, prandaj si e tillë nuk mund të jetë partnere e NATO-s dhe TMK-së. Pavarësisht nga ky vendim, gjenerali Yves De Kermabon mbetet një mik i TMK-së, thuhet në sqarim duke i uruar gjeneralit Valotto punë të suksesshme.




XS
SM
MD
LG