Ndërlidhjet

SHQIPTARËT E KOSOVËS KËRKOJNË BISEDIME PËR VETËVENDOSJE


Christian Science Monitor

Grafitet që mbajnë mbishkrimin “Jo negociata – vetëvendosje” janë të dukshme nëpër muret e ndërtesave dhe parqeve në Prishtinë dhe mesazhi, edhe gjashtë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, është i qartë. Albin Kurti, udhëheqës i fushatës së grafiteve ka thënë: “Jemi të ngulfatur me UNMIK-un mbi kokën tonë dhe Serbinë rreth qafës sonë. UNMIK-u këtu ka bërë gjashtë vjet dhe nuk ka një afat të caktuar. Ne duam që të ketë afat. Për t’u pavarësuar nga një vend i fuqishëm, aksioni është ai që është i nevojshëm, dhe jo një proces”. Por, vetë ky proces është kritik. Diplomatët dhe politikanët kanë slloganin e tyre që mban titullin “standardet para statusit”, për të cilin ata thonë se është e vetmja rrugëdalje për Kosovën nga amullia në të cilën gjendet tash e gjashtë vite me rradhë. Në këtë kuadër, pas pak javësh, i dërguari i posacëm i Kombeve të Bashkuara do të japë vlerësimin e tij mbi përmbushjen e këtyre standardeve. Por, si do të matet përparimi në Kosovë? Soren Jessen Petersen, shef i administratës ndërkombëtare, ka thënë se raporti do të jetë pasqyrë e përzier, sepse edhe vetë Kosova është një pasqyrë e tillë. Ai thotë se përderisa qeveria ka bërë shumë në ndërtimin e institucioneve të veta, këto të fundit duhet të bëjnë shumë më tepër për t’i mundësuar komunitetit serb të ndihet i sigurtë edhe jashtë enklavave në të cilat jeton. Mirëpo, edhe në rast të një note të dobët, janë të shumtë ata që thonë se nuk ka gjasë për trazira të ngjashme me ato të marsit të vitit të kaluar. Lideri i opozitës, Hashim Thaçi, mbase është duke folur në emër të të gjithë shqiptarëve të Kosovës kur thotë se zgjidhja e vetme është Kosova si një shtet i pavarur dhe sovran. Qendrat perëndimore ndërkaq, përfshirë këtu edhe Washingtonin, kanë dhënë shenja se Kosova mund të vazhdojë t’i përmbushë standardet edhe pas fillimit të bisedimeve. Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, thotë se standardet nuk janë përmbushur për shkak të Brukselit ose Këshillit të Sigurimit, por për vetë qytetarët e Kosovës. Sikurse edhe paraardhësi i tij Ramush Haradinaj, edhe zoti Kosumi, ia ka shtrirë dorën komunitetit serb, pjesëtarët e të cilit bojkotuan zgjedhjet e vitit të kaluar. Mirëpo, Nenad Maksimoviç nga Graçanica thotë se përderisa serbët nuk mund të kenë ndikim thelbësor, ai nuk do të votojë. Bashkim Kryeziu ndërkaq vazhdon të mbajë flamurin amerikan në shitoren e tij. Forcat serbe ia kanë vrarë 20 pjesëtarë të familjes, në mesin e të cilëve edhe vëllanë, por ai thotë se është i gatshëm të presë për cfarëdoqoftë vetëm që Kosova të bëhet e pavarur. “Ne gjithmonë kemi qenë të durueshëm. Nëse vullneti i popullit dihet, duhet edhe të zbatohet. Dhe, nëse amerikanët dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duan të humbin investimet që kanë bërë deri më tash, ata do të na dëgjojnë”.
XS
SM
MD
LG