Ndërlidhjet

THAÇI:"KOSOVARËT TË PËRGATITUR PËR SHTET TË PAVARUR DHE SOVRAN"


Hashim THAÇI, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, prania e gjeneralit Pashkash në ceremonialin e ndrrimit të komandës së KFOR-it ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë. Si e shihni këtë zhvillim?

HASHIM THAÇI
Është diçka e re, e papritur, krejt e panevojshme dhe rrjedhimisht edhe reagimet e qytetarëve të Kosovës janë shumë të arsyeshme. Realiteti i ri i Kosovës në procesin e ndërtimit të shtetit dhe prezenca e uniformes serbe në Kosovë nuk shkojnë bashkë. Kosova ka uniformen e vetë ushtarake, sepse e ka TMK-në. Prandaj ishte një provokim krejtësisht i panevojshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga temat më të nxehta me të cilat aktualisht ballafaqohet Kosova është çështja e decentralizimit. Ju keni qenë shumë kritikë ndaj projekteve që i ka ofruar qeveria e Kosovës. Si e shihni tash këtë çështje?

HASHIM THAÇI
Unë dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk kemi qenë kritikë dhe kundër decentralizimit. Kemi qenë kundër pilot – projekteve që i ka prezantuar qeveria aktuale, sepse janë projekte dezintegruese, të motivuara në baza etnike dhe politike, që çojnë drejt krijimit të enklavave në Kosovë apo ndarjeve të brendshme teritoriale të Kosovës. Rrjedhimisht, nga fillimi kemi kërkuar që të nxirret ligji për reformimin e pushtetit lokal ose të arrihet një koncenzus ndërmjet spektrit politikë kosovar ose të organizohet një referendum për mënyrën e reformimit të pushtetit lokal. Pra në Kosovë duhet të bëhet decentralizimi, por ai duhet të jetë legal, i ligjshëm dhe jo i imponuar prej askujt. Ky proces kërkon seriozitet dhe përgjegjësi shumë më të lartë dhe mbi të gjitha një projekt që u ofronë shërbim qytetarëve dhe jo t'i ndaj qytetarët në baza etnike apo që krijon probleme politike në vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, disa prej zyrtarëve ndërkombëtarë kanë kërkuar nga udhëheqësit kosovarë që të bëjnë përgatitje më thelbësor për fillimin e bisedimeve për statusin. A është e përgatitur klasa politike në Kosovë për këto bisedime dhe nëse po, me kë dhe për çfarë do të bisedohet?

HASHIM THAÇI
Unë jam i bindur se 2 milionë shqiptarët e Kosovës janë të përgatitur për shtet të pavarur dhe sovran. Klasa politike e Kosovës është e përgatitur për të punuar për ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Këto gjashtë vite kanë qenë vite të sprovës për demokratizimin e vendit. Tash kemi arritur në një fazë solide të zbatimit të kritereve demokratike, të domosdoshme për status dhe integrimin në strukturat evroatlantike. Do të ishte me interes që komuniteti ndërkombëtar të jetë shumë i përgatitur dhe i përgjegjshëm për njohjen e vullnetit të qytetarëve të Kosovës të shprehur më heret për shtet të pavarur e sovran dhe të integruar në strukturat e Bashkimit Evropian dhe ato evrotlantike.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje që është ngritur nga zyrtarë ndërkombëtar është ajo e kompromisit rreth statusit, ndërkaq Grupi Ndërkombëtar i Krizave tash sa kohë ka rekomanduar pavarësi të kushtëzuar. Cila do të ishte përgjigja e Juaj?

HASHIM THAÇI
Për Kosovën është vetëm një zgjidhje dhe ajo është ndërtimi i shtetit të saj, ndërsa ne liderët politik jemi përgjegjës për rrespektimin e vullnetit të qytetarëve për pavarësi. Ne nuk mund të hedhim në treg të drejtën e qytetarëve tanë për kompromise të ndryshme dhe rrjedhimisht dëshiroj të ritheksoj se zgjidhja e drejtë dhe angazhimi i të gjithëve është për ndërtimin e Kosovës së pavarur dhe sovrane.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e bashkësisë ndërkombëtare pas definimit të statusit përfundimtar të Kosovës?

HASHIM THAÇI
Rolin e bashkësisë ndërkombëtare pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës e shoh si një rol monitorues, vëzhgues, këshillëdhënës dhe me ambasada në Kosovë. Por njëkohësisht duhet menduar edhe në drejtim të kundërt, përkatësisht se si do të jetë roli i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar. Duhet që tash të mendojmë seriozisht se çfarë do të jetë roli i institucioneve të Kosovës, përkatësisht Kosovës në Nju Jork, Uashington, Bruksel dhe kryeqendrat tjera perendimore. Ne duhet të fokusohemi te roli i ynë si shtet në mekanizmat ndërkombëtare.
Sidoçoftë, mendoj se do të kemi një rol këshillëdhënës të administratës civile, ndërsa një prezencë të theksuar të NATO-s.

RADIO EVROPA E LIRË
Forumi ka qenë dhe ka mbetur një nga çështjet rreth të cilit ende nuk ka koncenzus të plotë. Si e shihni Ju rolin dhe angazhimin e Forumit në këtë periudhë?

HASHIM THAÇI
Krijimi i Forumit politik të Kosovës ka qënë një organizim i vullnetshëm i lidershipit politik kosovar. Nuk ka qenë zgjidhja më e mirë, por ka qenë një zgjidhje optimale për aktualitetin nëpër të cilin po kalojmë dhe në prag të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Rrjedhimisht, sërish ritheksoj përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës që të luaj rolin e vetë konstruktiv në Forumin politik, sekretariatin e Forumit dhe në grupet punuese në mënyrë që si spektër politik i Kosovës bashkërisht të ecim drejt zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG