Ndërlidhjet

ANDERSON: FTESA PËR GJENERALIN SERB- HAP I GABUAR I KFOR-IT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ftesa që komanda e KFOR-it i ka bërë shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbo-Malazeze, Dragan Paskash, që të marrë pjesë në ceremoninë e djeshme të ndërrim komandës, ishte hap i gabuar, thotë drejtori i zyrës së Grupit të Krizave në Prishtinë, Alex Anderson. Ai mendon se konfuzioni dhe reagimet që prania e gjeneralit serb ka nxitur në Prishtinë, vjen si pasojë e mbajtjes nën amulli të qëndrimit ndërkombëtar për të ardhmen e Kosovës, kështu që prania e gjeneralit Paskash, sipas tij, ka nxitur reaksione të gabuara se kjo do të thotë që KFOR-i po përgatitet të kthejë ushtrinë serbo-malazeze në Kosovë:
“Shqetësimet janë se mos ishte kjo një shenjë që KFOR-i po përgatit rrugën për Serbinë që të kthehet, çka unë nuk besoj se është ashtu. Por, fatkeqësisht një mendim i tillë po dominon këtu në Kosovë, ndërsa KFOR-i konsideroj se bëri një hap jo të qëlluar politik”, vlerëson Anderson. Mirëpo, për konfuzionin e arritur në qendrat politike në Prishtinë lidhur më këtë veprim të KFOR-it, Anderson fajëson si Grupin e Kontaktit, ashtu edhe partitë politike që po tregohen jo të afta të hartojnë një platformë dhe agjendë politike për të ardhmen e Kosovës:
“Është për keqardhje që Grupi i Kontaktit nuk po e bën publike opsionin e vet për pavarësinë e kushtëzuar për Kosovën, të cilin ende e mban në prapavijë, çka ndikon që shumica shqiptare t’i bazojë vlerësimet e veta në veprimet simbolike të bashkësisë ndërkombëtare se çfarë zgjidhje ofron për statusin e Kosovës”, pohon Anderson, i cili nuk e zhvesh nga fajësia as spektrin politik në Prishtinë:
“Reagimi i liderëve shqiptarë është pasojë e dështimit të këtij lidershipi që të dalë me agjendën dhe platformën e vet për statusin përfundimtar”, vlerëson analisti i Grupit të Krizave. Anderson kritikon dhe një pjesë të spektrit politik shqiptar të Kosovës, që është munduar ta shfrytëzojë praninë e shefit të ushtrisë serbo-malazeze në ceremoninë e djeshme, për poena politik, duke i kritikuar ata që kanë marë pjesë në atë ceremoni. Gjithë ky konfuzion sipas tij, dëshmon se as Prishtina nuk ka agjendë të qartë për të ardhmen e Kosovës, përderisa bashkësia ndërkombëtare ende vepron vetëm në prapavijë, që ndikon në rritjen e frustrimeve. Po ashtu, Anderson vlerëson se KFOR-i me këtë veprim të djeshëm, nuk ka gjykuar drejt raportet e Prishtinës, kur është në pyetje Serbia e Mali i Zi dhe pasigurinë që në Kosovë sjell prania e zyrtarëve të Beogradit.
Pas reagimeve të shumta që u shënuan dje në Prishtinë, lidhur me praninë e gjeneralit serbo-malazez në ceremoninë e ndërrim komandës së KFOR-it, edhe sot nuk kanë munguar komentet e ndryshme. Kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, i cili sot zhvilloi takimin e parë me komandantin e ri të KFOR-it, Giussepe Valotto tha se një ngjarje shumë e padëshiruar në ndërrimin e komandave të KFOR-it, siç ishte rasti me praninë e gjeneralit Paskash, nuk duhet të ndikojë që komandanti i KFOR-it të mos e marrë përkrahjen dhe mirëseardhjen e tij në Kosovë. Daci tha se ndjenjat e kosovarëve janë të lënduara nga ushtria serbe, por vlerësoi po ashtu se një episod i keq si ai i djeshmi, nuk duhet të nënkuptohet si ulje e vlerave dhe e punës së KFOR-it dhe ish-komandantit Ives de Kermabon.
Kurse zëvendës-kryeministri i Kosovës, Adem Salihaj, tha pas një takimi që zhvilloi sot me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen se prania e gjeneralit serb ishte një provokim dhe fyerje e ndjenjave të qytetarëve të Kosovës.




XS
SM
MD
LG