Ndërlidhjet

MOORE: "TRASHËGIMIA PSIKOLOGJIKE E LUFTËS SJELL MUNGESË STABILITETI POLITIK NË SHUMICËN E ISH-JUGOSLLAVISË"


Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Ballkani edhe më tej është një temë ku kriza përshkruan gjendjen aktuale në shumë pjesë të tij. Përse 15 vjet pas fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë gjërat ende mbeten të pazgjidhura?

PATRICK MOORE
Përgjigja e qartë që më vjen ndërmend për këtë pyetje shprehet me një fjalë- LUFTË. Kjo luftë ka lënë jo vetëm shkatërrimin fizik, por në shumë pjesë të ish-Jugosllavisë u krijuan struktura të reja, në të cilat jetët e politikanëve, biznesi, krimi i organizuar dhe forcat e sigurisë ishin shumë të ndërlidhura. Mund të mendojmë për shumë pjesë të ish-Jugosllavisë, ku ky fakt ka qenë i vërtetë, pavarësisht se më qartë dhe më dukshëm është shfaqur në Serbi. Përveç kësaj, ka një trashëgimi psikologjike të luftës, që ka lënë një situatë të mungesës së stabilitetit politik dhe të pasigurisë në shumicën e ish-Jugosllavisë. Një shembull ku faktorët e mësipërm nuk janë shumë të pranishëm apo si të thuash një shembull i kundërt është Kroacia, e cila duket të jetë me këmbët në tokë, dhe di ku do të shkojë. Por, nëse hidhet një vështrim, jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje, ku e ardhmja politike ka ende një pikëpyetje të madhe, i shohim rezultatet e trashëgimisë së luftës në problemet e pazgjidhura. Kjo është arsyeja përse jam dakord me atë që thatë se krizat vazhdojnë në këto zona.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa nga problemet e mëdha me të cilat ballafaqohen vendet e dala nga ish-Jugosllavia janë institucionet e dobëta demokratike dhe korrupsioni gati në të gjitha nivelet. Përse është kështu?

PATRICK MOORE
Zonat e ish-Jugosllavisë nuk kanë monopol për këto probleme. Nuk duhet të shihni larg në shumë prej vendeve perëndimore, për të gjetur jo vetëm korrupsion, por në disa vende si Franca, madje dhe një tolerancë ndaj korrupsionit. Nuk e gjeni këtë në Skandinavi, por e keni të pranishëm në Evropën jugperëndimore. Nëse i hedhim një sy disa ish vendeve komuniste, që janë në NATO, që janë integruar ose po integrohen në Bashkimin Evropian, ende shihet që ka probleme të mëdha me mungesën e institucioneve demokratike, madje jo dhe aq të institucioneve, por të psikologjisë së shoqërive moderne demokratike, ku mund të gjeni edhe korrupsionin. Shembujt më të mirë për këtë janë Bullgaria dhe Rumania. Por sërish ato nuk janë vendet e vetme ku mund ta gjeni këtë situatë. Këto probleme siç e thashë nuk egzistojnë vetëm në ish-Jugosllavi. Luftërat sigurisht nuk ndihmuan dhe këto vende, jo vetëm që duhet të vazhdojnë t'i ndërtojnë institucionet demokratike dhe të kalojnë një periudhë tranzicioni, por duhet të dalin me gjithë trashëgiminë materiale, psikologjike, ekonomike, politike të luftës. Nuk është e lehtë, andaj pyes veten nëse do të ishin gjërat kaq mirë në Çeki dhe Sllovaki, nëse këto shtete nuk do të ishin ndarë paqësisht, por do të kishin patur konflikt, pavarësisht pakuptueshmërisë që mund të ketë ideja e konfliktit mes tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Trashëgimia komuniste në vendet e dala nga ish-Jugosllavia nuk ka qenë më e fuqishme se në vendet e tjera lindore ish-komuniste. Përse ato kanë arritur më shpejt të tejkalojnë problemet e tranzicionit? Për shkak të luftës, marrëdhënieve të pazgjidhura nacionale të trashëguara nga koha e komunizmit, apo për shkak të ndihmës më të vogël të perëndimit demokratik për Ballkanin?

PATRICK MOORE
Mendoj se të gjitha këto gjëra që përmendët luajnë një rol këtu, dhe njerëzit tek ju i dinë shumicën e tyre më mirë se unë. Por ka diçka që do të doja të përmendja vetë lidhur me mungesën e përkrahjes nga shtetet demokratike të perëndimit për demokracinë në ish-Jugosllavi. Në kohën kur Evropa e Lirë transmetonte në vendet e Paktit të Varshavës, neve nuk na lejohej që të transmetonim në ish-Jugosllavi. Pse? Sepse konsiderohej se ishte disi destabilizuese. Konsiderohej se ajo që ishte mirë për Titon dhe Jugosllavinë, ishte mirë për Shtetet e Bashkuara. E di për çfarë po flas, sepse kam qenë një analist i Evropës së Lirë për Ballkanin që në 1977. Ndoshta dëgjuesit tuaj nuk e dinë, por ka patur një projekt në mes të viteve 80' që të fillohej transmetimi në gjuhën shqipe. Qëllimi ishte më shumë Shqipëria sesa Kosova, por e çuam më tej. Një nga kolegët e mi nga Tirana u takua me gazetarë të gjuhës shqipe në një numër qytetesh të perëndimit dhe nuk e pati problem të gjente një grup njerëzish të gatshëm të punonin për ne. Patëm shumë plane, por erdhi një JO e fuqishme nga Uashingtoni, sepse nëse do transmetonim në shqip, do të flisnim jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën, ndryshe do ta humbnim kredibilitetin. Por, kishte njerëz në Uashington, të cilët kishin frikë se nëse thjesht do ta përmendnim Kosovën, do të destabilizonim në një farë mënyre Jugosllavinë, ndërsa ajo që ishte mirë për Jugosllavinë, atëherë ishte mirë për Amerikën. Ky është pjesërisht rezultati i një logjike të Luftës së Ftohtë, në të cilin Jugosllavia e Titos dhe e ajo pas Titos, luajtën një rol të caktuar në balancën ndërkombëtare të pushtetit. Nuk ka ndonjë dyshim për këtë, por njerëzit në perëndim kishin një pikëpamje naive për Jugosllavinë. Nuk dinin ndonjë gjë të veçantë, përveçse se ishte një vend i këndshëm i një komunisti të pavarur, Titos, vend i pushimeve dhe gjëra të tilla. Dhe duhej të shkonit aty personalisht që të kuptonit se në çfarë shkalle ishte një shtet policor. Njerëzit në perëndim kishin shumë iluzione për këtë dhe ju desh shumë kohë për t'i humbur këto iluzione në atë shkallë që i kanë humbur tani.

Intervistoi Melazim Koci

XS
SM
MD
LG