Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

MITROVICË: FILLOI PROJEKTI PËR KTHIMIN E ROMËVE NGA JUGU I QYTETIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Një projekt i përbashkët i autoriteteve vendore të Kosovës, administratës së UNMIK-ut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, ka për qëllim kthimin nëpër shtëpitë e tyre të romëve në Mitrovicë. Këta pjesëtarë të komunitetit rom, aktualisht janë të strehuar nëpër kampe në veri të qytetit, kurse qëllimi i autoriteteve është që ata t’i kthejë në jug të qytetit, respektivisht në Lagjen rome, ku kanë jetuar më parë. Sipas zyrtarëve të kuvendit komunal të Mitrovicës, ndërtimi i banesave të romëve, si edhe kthimi i tyre, pritet të ndodhë sipas parashikimeve. Ndërkohë Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë ka hartuar tashmë një listë me emrat e personave që duan të kthehen.
Mirëpo, në anën tjetër, përfaqësuesi i romëve të zhvendosur, Skënder Gushani, thotë se kthimi duhet të përcillet dhe me krijimin e kushteve elementare për jetesë:
“Ne duam të kthehemi, por me kusht që të na kthehen pronat dhe ndërtohen shtëpitë ashtu siç i kishim”, thotë Gushani, duke kërkuar në vazhdim që kushte për kthim janë edhe siguria e liria e lëvizjes.
Ndërkohë që Sebiha Bajrami, thotë se punësimi i saj është kusht për kthim bashkë me kushtet e tjera siç është kthimi i pronës:
“Nëse nuk ma ndërtojnë shtëpinë në vendin e njejtë ku e kam pasur edhe më parë, sa për ndërtesa unë nuk do të kthehem fare”, thotë Bajrami.
Kushte për kthim në jug të qytetit parashtrojnë dhe qytetarë të tjerë të këtij komuniteti, që aktualisht jetojnë nëpër kampe në veri të Mitrovicës. Artan Bajrami thotë se pa një perspektivë për punësim dhe kthim në pronën e mëparshme nuk do të kthehet fare:
“Unë do të kthehesha në shtëpinë time, ashtu siç kam jetuar më parë, domethënë nëse na plotësojnë kushtet tona, nëse do të ketë siguri, liri të lëvizjes dhe nëse do të na sigurojnë punësimin”, thotë ky qytetar.
Përndryshe në Lagjen rome parashihet se kanë jetuar rreth 8.000 romë, të cilët tani jetojnë si refugjat në veri të qytetit, apo edhe jashtë Kosovës. Projekti i autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare parasheh që ka kushte të sigurisë për kthimin e tyre në lagjen e vjetër dhe nuk parasheh kushte të tjera, për të cilat këta pjesëtarë të komunitetit romë flasin.

XS
SM
MD
LG