Ndërlidhjet

MOSBASHKËPUNIMI I QYTETARËVE ME POLICINË- PENGESË KRYESORE PËR ZBARDHJEN E KRIMEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Mungesa e bashkëpunimit të qytetarëve me policinë dhe me hetuesit, është faktori kryesor që ka penguar ndriçimin e krimeve në Kosovë, sidomos të atyre që dyshohet të kenë motive politike, që policia i quan krime të profilit të lartë. Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, tha se vetë kërshëria e opinionit për të ditur për rastet e tilla krijon një pasqyrë të gabueshme se shumë vrasje kanë mbetur të pandriçuara:
"Nëse shikojmë shkallën e krimeve të zgjidhura nga policia në Kosovë, është afër 70 përqindëshit që është mjaft e lartë sipas çfarëdo standardi ndërkombëtar," tha zëdhënësi Singh. Ai ka pranuar se me gjithë faktin se disa vrasje të profilit të lartë janë zgjidhur, ka të tilla që kanë mbetur të pazgjidhura, pasi vetë natyra e atyre krimeve është e ngatërruar dhe e vështirë për t’u zbardhur:
"Këto janë krime që janë kryer nga persona të armatosur të mbuluar nga errësira e natës dhe në zona të izoluara dhe që sulmojnë persona të caktuar, dhe për rezultat për shkak të vetë natyrës së këtyre krimeve është vështirë për hetuesit t’i zgjidhin këto raste," tha zëdhënësi Neeraj Singh, duke përkujtuar se krime të tilla mbeten të pazgjidhura për një kohë të gjatë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera që kanë traditë më të gjatë hetuesie, sesa misioni kaq i shkurtër i UNMIK-ut.
Naim Maloku, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ekspert për çështje të sigurisë, thotë se janë disa faktorë që ndikojnë për moszabrdhjen e shpejtë të këtyre krimeve. Para së gjithash, zoti Maloku mendon se Policia e UNMIK-ut, duke pasur në përbërjen e saj policë nga mbi 50 shtete të ndryshme të botës, bën që ajo të jetë një strukturë heterogjene që nuk mund të jetë efikase, për shkak të rreptësisë së subordinimit dhe koordinimit, ndërsa përmend faktin që deri vonë policët e UNMIK-ut kanë pasur mandat gjashtëmujor në Kosovë- gjithmonë janë ndërruar dhe ka ardhur garniturë tjetër nga ato shtete.
"Për gjashtë muaj, polici nuk mund të akomodohet në një lëndë kur të nisë ta kryejë punën e vet, pastaj mosnjohja e gjuhës së vendorëve, ku gjithmonë është dashur të jetë përkthyesi, pra një i tretë në mes të dëshmitarit apo informatorit dhe policit ka bërë të mundur që të mos ketë të dhëna konfidenciale, pra nuk ka fshehtësi, nuk ka mundur të ruhet fshehtësia".
Në këtë kuadër, zoti Maloku mendon se mungesa e një shërbimi të kundërzbulimit është një defekt shumë i madh:
"Kosova ka pasur dhe ka një numër të madh të shërbimeve sekrete, por nuk e ka një shërbim të veçantë vendor, që do të ishte mekanizëm shumë i rëndësishëm. Po punohet në ngritjen e një agjencioni informativ të Kosovës, i cili do të ndihmonte shumë për zbulimin e pistave të krimeve të rënda dhe të rrjeteve kriminale ", tha zoti Maloku, duke iu referuar edhe bartjes së kompetencave në polici dhe drejtësi tek institucionet vendore, punë që sipas zyrtarëve të UNMIK-ut pritet të kryhet deri në fund të këtij viti.
Ndërkaq, Rangjel Nojkiq nga Lista serbe, fajin e hedh pikërisht tek organet vendore të drejtësisë dhe policisë, të cilat, sipas tij janë të ndikuara politikisht:
"Kemi vërtet një situatë të tillë, që për shumë raste që ka dëshmi, proceset e tilla nuk kanë shkuar deri në fund dhe arsyet për këtë janë politike, pasi nuk ka gadishmëri të rrethinës ku kanë ndodhur veprat," thotë Nojkiq.
Mirëpo, Naim Maloku nuk pajtohet me pohimet se presionet politike kanë ndikuar mbi hetimet dhe moszbardhjen e krimeve:
"Edhe drejtësia edhe rendi janë në duart e UNMIK-ut dhe nuk ka vendor që do të guxonte të bëjë presion mbi ndërkombëtarët për të mos u zbuluar rasti".
Por, zoti Nojkiq thotë se ndikimi politik vërehet në praktikën e zgjedhjes së gjykatësve në Kuvend:
"Zgjedhja e gjykatësve shkon ashtu siç shkon përmes Kuvendit dhe partive politike dhe kjo nuk është një zgjidhje e mirë . Mendojmë se me këtë punë duhet të merren profesionistët që janë krejtësisht të pavarur nga politika," tha Rangjel Nojkiq.
Një arsye tjetër që vështirëson edhe më punën e policisë, sipas zotit Naim Maloku, është mentaliteti i ndërtuar për dekada të tëra lidhur me bashkëpunimin e qytetarëve me policinë:
"Mentaliteti kosovar është i tillë që çdo bashkëpunim me policinë në të kaluarën ka pasur një parashtesë shumë të keqe dhe fyese për bashkëpunëtorin e policisë që është quajtur spiun, është quajtur armik, bashkëpunëtor i okupatorit. Kjo ka ndikuar dhe ajo jehonë e keqe dhe ndjenjë e keqe që egziston te shqiptarët për bashkëpunimin me policinë, ka rezultuar në një mosgatishmëri të qytetarëve për të bashkëpunuar me policinë".
Edhe për zëdhënësin e UNMIK-ut Neeraj Singh, mosbashkëpunimi i qytetarëve është ndër vështirësitë kryesore:
"Në raste të tilla ne kemi parë se egziston një mur i heshtjes, të cilin duhet ta kalojë policia, pasi njerëzit që mund të kenë informacione lidhur me ato krime, nuk shkojnë për të bashkkëpunuar me hetuesit," tha zëdhënësi Singh.
Sidoqoftë, në Kosovë egziston një program për mbrojtjen e dëshmitarëve që është aplikuar disa herë në praktikat gjyqësore të Kosovës së pasluftës, por nga ana tjetër zyrtarët e policisë nuk kanë arritur t’u përgjigjen deri në fund kërkesave të opinionit dhe të partive politike për ndriçimin e krimeve, edhe pse Kuvendi i Kosovës pati mbajtur një seancë të veçantë, në të cilën patën marrë pjesë drejtues të policisë së UNMIK-ut dhe të Shërbimit Policor të Kosovës.




XS
SM
MD
LG