Ndërlidhjet

RIBASHKIMI I FËMIJËVE TË BRAKTISUR ME PRINDËRIT BIOLOGJIKË, HAS NË PENGESA TË MËDHA


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Ribashkimi i fëmijëve të braktisur me prindërit biologjikë është një ndër format më të dëshirueshme, thonë në Qendrën për Punë Sociale dhe në qendrën tranzite SOS Kinderdorf në Prishtinë.
Teuta Mulliqi, drejtoreshë e projektit " Dielli" në qendrën tranzite SOS Kinderdorf tha se prej vitit 2001 e deri tani 13 fëmijë të braktisur janë ribashkuar me prindërit e tyre biologjikë.
" Numri nuk është ndoshta dhe aq sfidues, nuk është dhe aq i madh. Është 13 fëmijë dhe kam parasysh periudhën kur kemi filluar, janar 2001 deri në shtator 2005."
Ribashkimi i këtyre fëmijëve me prindërit e tyre të vërtetë, apo qoftë vetëm me njërin prej tyre, arrihet kryesisht në sajë të punës që bëjnë punëtorët e Qendrës për Punë Sociale.
Fahrush Neziri nga kjo qendër, thotë se ata kryesisht përpiqen t'i bindin prindërit të bashkohen me fëmijët që i kanë braktisur.
"Me mundin e madh që bëjnë punëtorët tani i bindin që ata që gjejnë një rrugëzgjidhje, dhe ata vetë binden që më mirë është që prindërit të kujdesen për fëmijët e tyre; në rend të parë nëna, që të kujdesen për fëmijët e tyre në vend që ai fëmijë të jetë i braktisur dhe të mos dijë se kë ka prind biologjik."
Ndërkaq kur prindërit vendosin të marrin fëmijën e tyre, dikur të braktisur, ata duhet të kalojnë nëpër disa procedura, të cilat sipas zonjës Mulliqi, mundësojnë mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave emocionale të familjes dhe fëmijës.
" Prindët biologjikë, apo vetëm njëri prind biologjik, derisa fëmija është këtu, vjen nën përcjelljen e Qendrës për Punë Sociale, nën përcjelljen e punëtorit social, i bën kontaktet me fëmijën, rri si mysafir i organizatës tonë dhe normalisht njoftohet më për së afërmi me fëmijën, si për afinitetet e fëmijës e për gjithshka tjetër, për zhvillimin e tij psikologjik, psikosocial e kështu me radhë. Normalisht që kur njoftohet për së afërmi me fëmijën, atëhere e ka edhe më të lehtë për t'u përkujdesur edhe më tutje për të".
Qendra tranzite SOS Kinderdorf, e cila gjendet në vendin më të gjelbëruar në Prishtinë, prej vitit 2001 e deri tani është përkujdesur për 473 fëmijë të braktisur, shumica e të cilëve tashmë janë birësuar. Në këtë qendër aktualisht gjenden edhe 25 fëmijë të tjerë në pritje të një familjeje për birësim, apo edhe të prindërve të tyre. Mirëpo pavarësisht nga interesimi për birësimin e fëmijëve të braktisur, numri i atyre që janë bashkuar me prindërit biologjikë është i vogël përballë numrit gjithnjë e në rritje të atyre që braktisen në lindje.

XS
SM
MD
LG