Ndërlidhjet

NESËR NË VJENË DO TË DISKUTOHET DECENTRALIZIMI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Takimi i Vjenës ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë për decentralizimin, nuk mund të ketë ndikim mbi planin për pilot-komunat, por qeveria e Kosovës është e gatshme që me qytetarët dhe udhëheqësit serbë ta diskutojë planin dhe ta modifikojë, ka thënë sot kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, duke u shprehur i vendosur se nuk do të ketë komuna njëetnike, apo të tilla me 90 përqind serbë, siç kanë kërkuar zyrtarët e Listës Serbe. Këto komente, kryeministri i Kosovës i ka bërë pas një takimi me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, i cili ka mbështetur qëndrimin e qeverisë për ta mbajtur dialogun e vazhdueshëm me serbët. Kur themi do të mbetet dera e hapur kemi parasysh faktin se plani B është mirëpritur nga liderët serbë dhe kjo na jep vullnet që t’i afrojmë më shumë qytetarët dhe liderët serbë, për të marrë pjesë në këtë proces, tha kryeministri Kosumi:
"Disa modifikime mund të bëhen dhe ne jemi të gatshëm t’i bisedojmë. Nuk do të ketë përjashtime të fshatrave shqiptare. Dua ta them shumë qartë se nuk është qëllimi ynë të formojmë komuna njëetnike. Mund ta kenë serbët shumicën aty, mund të jetë kryetar i njësisë një pjesëtar i nacionalitetit serb, por nuk de të ketë komuna njëetnike dhe nuk do të ketë madje as komuna me 90 përqind serbë e dhjetë për qind shqiptarë", tha kryeministri Kosumi, duke komentuar edhe qëndrimin e Listës Serbe në një letër dërguar së fundi kryeministrit Kosumi, Ministrit të Pushtetit Lokal Lutfi Haziri dhe shefit të UNMIK-ut Petersen, ku kërkohej që fshatrat shqiptare të hiqeshin nga komunat provuese që janë menduar të kenë shumicë serbe, si Graçanica dhe Parteshi.
Vetë shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen tha se plani B është baza për pilot-komunat:
"Unë e mirëpres qëndrimin e qeverisë për gadishmërinë që të shqyrtohet plani B dhe nëse ka ide të mira të bëhen edhe modifikime," tha Petersen, duke rikujtuar se Grupi i Kontaktit dhe UNMIK-u e kanë mbështetur fuqishëm planin B.
Ndërkohë, nesër në Vjenë fillon një takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre Serbisë, ku do të flitet për decentralizimin, që është inicuar i dërguari i posaçëm i Sekretarit Anan për situatën në Kosovë, Kai Eide. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë shprehur pesimistë lidhur me takimin, pasi sipas tyre në delegacionin e Kosovës nuk ka pasur vend për serbët e Kosovës, të cilët kanë shkuar si pjesë e delegacionit të Serbisë, tha Rangjel Nojkiq, përfaqësues i Listës serbe, të cilin megjithatë e mban shpresa se gjërat do të lëvizin:
"Nismat që janë ndërmarrë ndodhen tani në një qorrsokak dhe ndoshta ky është një rast që ato të marrin një drejtim pozitiv," tha Rangjel Nojkiq, duke potencuar sidomos kërkesat për pilot-komunat. Mirëpo, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se takimi i Vjenës nuk mund ta ndryshojë agjendën e jetësimit të pilot-komunave:
"T’ju them fillimisht se takimi i Vjenës nuk do të ndikojë fare në këtë, pasi në Vjenë nuk diskutohet fare për pilot-projektet".
Sidoqoftë, përfaqësuesit e UNMIK-ut, por edhe përfaqësuesit e shqiptarëve dhe të serbëve e kanë vlerësuar si të rëndësishëm këtë takim, qoftë edhe vetëm për faktin se dialogu po mbahet i gjallë dhe nuk mungon vullneti për të diskutuar për zgjidhjen e problemeve.



XS
SM
MD
LG