Ndërlidhjet

SYLA: PËR PAVARËSINË EGZISTON UNITETI I TË GJITHËVE NË KOSOVË


Gjylnaze Syla , shefe e grupit parlamentar të AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Syla, këto ditë presidenti Ibrahim Rugova ka bërë të ditur grupin negociator për bisedimet për statusin e Kosovës. Pritet që edhe Kuvendi i Kosovës të shtrojë për miratim këtë deklaratë të presidentit Rugova. Cili është qëndrimi juaj dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës?

GJYLNAZE SYLA
Ne e përshëndesim vendimin e kryetarit Rugova për propozimin e formimit të grupit. Është shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh vetë situatën e tanishme dhe sfidat, të cilat na presin në të ardhmen. Ma merr mendja që parlamenti do ta mbështesë këtë nismë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili konsideroni se duhet të jetë roli i parlamentit në procesin negociator për statusin e Kosovës?

GJYLNAZE SYLA
Parlamenti është organi më i lartë si në çdo vend, ashtu dhe në Kosovë. Prandaj mendoj që asnjë vendim nuk mund të merret pa parlamentin e Kosovës, ngaqë parlamentarët janë përfaqësues të qytetarëve të Kosovës dhe jetësimi i vullnetit të qytetarëve bëhet në të vërtetë nëpërmjet përfaqësimit. Çdo vendim dhe dokument me rëndësi duhet të kalojë nëpër dyert e parlamentit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa pajtoheni me disa konstatime dhe analiza se Prishtina është vonuar në miratimin e platformës paraprake për bisedimet për statusin e Kosovës?

GJYLNAZE SYLA
Të gjithë e kemi një qëllim, konsensusi është arritur sa i përket statusit përfundimtar të Kosovës dhe ai duhet të jetë pavarësia. Për më tepër zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, ne si Aleancë, nuk e kuptojmë vetëm si zgjidhjen momentale të pavarësisë së Kosovës, por për më tepër edhe një hap drejt integrimit në Evropë dhe në NATO. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka shprehur mendimin e vet në lidhje se nuk mundet askush të vendosë për fatin tonë. Për fatin tonë vendosim ne vetë dhe pavarësia është e panegociueshme. Duhet padyshim të ketë më shumë përgatitje, të përfshihen njerëz që janë me të vërtetë ekspertë dhe që mund të ndihmojnë në këtë çështje. Por e them përsëri që vullneti i popullit është i panegociueshëm.
Çështje të tjera që kanë të bëjnë me implementimin e vullnetit të popullit dhe jetësimin e vullnetit të popullit, mund të diskutohen. Ne kemi shumë çështje që duhen diskutuar. Ne kemi çështjen e personave të pagjetur. Nuk është kaluar asnjë rast, i cili ndiqet penalisht për persona, të cilët kanë bërë krime të luftës ndaj personave të pagjetur dhe familjet edhe sot vuajnë. Është çështja e dokumenteve kadastrale, është çështja e pensioneve të vjedhura, është çështja e kursimeve nëpër banka, është çështja e dëmeve të luftës, dhe shumë çështje të tjera, të cilat duhen diskutuar me Beogradin.

RADIO EVROPA E LIRË
Krahas këtyre çështjeve teknike janë paralajmëruar dhe bisedime lidhur me procesin e decentralizimit në Kosovë. Ju si grup parlamentar, por edhe si parti që udhëhiqni qeverinë e Kosovës, çfarë qëndrimi keni lidhur me fillimin e zbatimit të pilot-projekteve?

GJYLNAZE SYLA
Në parlament, si grup parlamentar, por edhe si Aleancë, e kemi shprehur mendimin tonë në lidhje me decentralizimin, se decentralizimi është i nevojshëm si proces. Por nuk e shohim këtu përfshirjen apo ndikimin e Beogradit në këtë proces, përkundrazi, ky është një proces që përfshin qytetarët e Kosovës dhe si të tillë të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të debatojnë për këtë çështje. Në parlament kemi debatuar, e kemi shprehur mendimn tonë dhe ia kemi dhënë rekomandimet tona qeverisë, se çfarë duhet të përfshijë qeveria më tej. Jam në njohuri natyrisht se ministria i ka përfshirë të gjitha sugjerimet që ia ka dhënë parlamenti dhe do të vazhdohet me procesin. Natyrisht çështja mbetet e hapur për qytetarët serbë, të cilët duan të marrin pjesë dhe përfaqësuesit e tyre të jenë pjesë e procesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund t'u kthehemi sërisht çështjeve që në Kosovë vlerësohen si thelbësore, apo të rëndësisë së veçantë, qoftë decentralizimi, ashtu dhe përgatitjet për statusin e Kosovës. Ka shumë kritika se Prishtina ende nuk ka arritur një unitet. Cili është mendimi juaj, sa në fakt rreth këtyre çështjeve madhore Prishtina ka një unitet?

GJYLNAZE SYLA
Ne e kemi konsensusin kur është fjala se cila është e ardhmja e Kosovës dhe cili duhet të jetë statusi i Kosovës. Të gjitha partitë politike janë të mendimit dhe pajtohen se ajoi duhet të jetë shteti sovran dhe i pavarur i Kosovës. Për këtë nuk ka asnjë dilemë. Çështja është se vetë kryetari i Kosovës, zoti Rugova është faktor i unitetit dhe si i tillë e ka patur në një mënyrë përgjegjësinë që t'i mbledhë dhe të propozojë grupin, i cili do ta bartë në këtë mënyrë procesin. Unë nuk mendoj që jemi larg asaj. Përkundrazi, jemi në një fazë pikërisht të formimit dhe të arritjes së një uniteti të përbashkët. Ai është mëse i nevojshëm në këtë moment, për arsye se çështja e statusit përfundimtar, nuk është vetëm çështje e qeverisë, nuk është as çështje vetëm e pozitës ose opozitës, por e të gjithëve, shoqërisë civile, mediave etj. Është e ardhmja jonë.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG