Ndërlidhjet

DOUGLAS ALEXANDER: PAVARËSIA ËSHTË NJË OPSION PËR STATUSIN E ARDHSHËM TË KOSOVËS


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Ministri i Britanisë së Madhe për Evropën, Douglas Alexander, ka thënë sot në Prishtinë se pavarësia është një opsion për statusin e ardhshëm të Kosovës. Zoti Alexander i bëri këto komente në një takim të shkurtër me gazetarët në Prishtinë, pas takimeve që zhvilloi në dy ditët e fundit me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.
"Pavarësia natyrisht është një opsion për të ardhmen e Kosovës, por do të jetë procesi i statusit përfundimtar ai që do ta zgjidhë çështjen e ardhmërisë së Kosovës", ka thënë zoti Alexander.
Në këtë kuadër ai shtoi se tashmë është e qartë se në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme, do të ketë sfida të shumta me të cilat do të përballen që të gjithë.
"Megjithaë ndihem i inkurajuar nga zotimet që kam parë tek liderët dhe njerëzit brenda komuniteteve, për të ndërmarë hapat që do të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët dhe më të mirë për Kosovën," ka thënë zoti Alexander.
Ai tha se sot është gjithashtu e rëndësishme të mbahet mend se bisedimet për statusin përfundimtar nuk do të shënojnë pikën përfundimtare në këtë proces.
"Bisedimet shënojnë një pikë të procesit për një të ardhme në Kosovë, në të cilin të gjithë qytetarët të gëzojnë paqen sigurinë dhe prosperitetin," tha Ministri britanik për Evropën.
Ai foli edhe për raportin, të cilin i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e standardeve Kai Eide, pritet ta dorëzojë javën që vjen.
" Nëse siç shpresojmë raporti i tij mundëson fillimin e përcaktimit të statusit, gjithashtu shpresojmë se do të ketë një konsensus kombëtar në mes të të gjithë liderëve politikë mbi hapat e mëtejshëm", tha zoti Alexander.
Ndryshe ai sot ka udhëtuar edhe për në Beograd, ku pritet që të takohet me zyrtarët e atjeshëm. Por para se të largohej nga Kosova, duke qëndruar afër një panoje në qendër të Prishtinës, me mbishkrimin "Britani e Madhe, jemi me ju", e vendosur pas sulmeve terroriste të 7 korrikut në Londër, ministri britanik tha se populli i Britanisë së Madhe do të qëndrojë me popullin e Kosovës në këtë periudhë sfidash.



XS
SM
MD
LG