Ndërlidhjet

KATËR SERBË ARRESTOHEN NËN AKUZAT PËR KRIME LUFTE NË KOSOVË


Në një aksion të përbashkët të Policisë së UNMIK-ut, KFOR-it dhe Shërbimit Policor të Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit në rrethinën e Graçanicës janë arrestuar katër persona, të përkatësisë serbe, të dyshuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, të kryera gjatë periudhës së vitit 1999 në fshatin Sllovi të komunës së Lipjanit. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Refki Morina tha se aksioni ka qenë i suksesshëm:
“Rreth orës 04:03 të mëngjesit, policia ndërkombëtare dhe Shërbimi Policor i Kosovës të ndihmuar dhe nga KFOR-i, në mënyrë të suksesshme kanë filluar një aksion kontrolli e arresti në Graçanicë, ku janë arrestuar katër persona të dyshuar, meshkuj, dhe arresti është bërë sipas fletarrestimit për ta. Ata dyshohen se kanë marrë pjesë në një numër vrasjes në komunën e Lipjanit në prill të vitit 1999”, tha zëdhënësi Morina.
Në vazhdim zëdhënësi Morina tha po ashtu se aksioni ende nuk mund të konfirmohet si i mbyllur, kurse përveç kapjes së personave të dyshuar, janë gjetur dhe armë të llojeve të ndryshme:
“Deri tash janë gjetur një numër i ndryshëm i armëve, duke përfshirë një numër të mitrolozëve dhe të kallashnikovëve 47, revole, thika, bajoneta dhe sasi e caktuar municioni”, tha Morina.
Ndërkohë agjencitë e lajmeve njoftojnë se forcat speciale të policisë së UNMIK-ut kanë ndërhyrë nëpër shtëpitë e të arrestuarve në orën 4 të mëngjesit dhe përveç arrestimeve, ata kanë bastisur këto shtëpi për katër orë rresht. Sipas këtyre njoftimeve, të arrestuarit janë tre vëllezërit Zhivorad, Slobodan dhe Milovan Maksimoviç, si dhe daja i tyre Lubisha Periç. Këta persona thuhet se kanë jetuar gjatë vitit 1999 në Sllovi, në kohën kur janë kryer vrasje të civilëve shqiptarë. Pas hetimeve të gjata policia ka ndërmarrur sot aksion konkret, i cili sipas zëdhënësit Morina ende nuk mund të thuhet se ka përfunduar.
Në anën tjetër, një zyrtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, Ibrahim Makolli, thotë se ky Këshill i ka paraqitur te organet kompetente në Kosovë, por edhe te Tribunali i Hagës argumentet e veta denoncuese ndaj personave të ndryshëm, përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, përfshirë dhe komunën e Lipjanit.
“Këshilli për të Drejtat e Njeriut ka mbledhur material të bollshëm faktografik dhe për masakrën në Sllovi, dëshmi të cilat i janë ofruar drejtpërdrejtë Tribunalit të Hagës dhe po ashtu një kopje e këtyre dëshmive iu është dorëzuar dhe autoriteteve të drejtësisë në Kosovë, të cilat ne nuk kemi njohuri se çka dhe si kanë vepruar deri më sot”, tha Makolli.
Lufta në Kosovë sipas shënimeve të deritashme ka lënë si pasojë afër 10 mijë persona të vrarë dhe mbi 3 mijë persona të zhdukur. Kurse në masakrën e Sllovisë, sipas këtyre të dhënave janë vrarë të paktën 45 persona.

Zijadin Gashi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG