Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT SERBË THONË SE S'MUND TË JENË PJESË E DELEGACIONIT TË KOSOVËS NË BISEDIMET PËR STATUSIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësues të forcave të ndryshme politike të serbëve të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme lidhur me atë se pjesë e cilit delegacion duhet të jenë në bisedimet eventuale për statusin e Kosovës, ndërkohë që e përbashkëta e qëndrimit të tyre është se nuk duhet të jenë në delegacionin e Kosovës. Oliver Ivanoviq nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, një subjekt politik i serbëve të Kosovës që ka marrë pjesë në zgjedhje, por jo edhe në institucionet vendore, mendon se interesat e serbëve të Kosovës mund të mbrohen në disa mënyra:
"Mirëpo për shkak të konstelacionit aktual të forcave, qoftë në Serbi qoftë në Prishtinë, delegacioni i serbëve të Kosovës më së miri është që të jetë i përbërë nga forcat relevante të serbëve të Kosovës," tha Oliver Ivanoviq, duke u angazhuar që serbët e Kosovës të jenë një delegacion i tretë, i pavarur nga delegacioni i Kosovës apo nga ai i Serbisë.
Mirëpo, qëndrimi i tij kundërshtohet nga përfaqësues të Këshillit Nacional Serb të Veriut dhe nga përfaqësues të Këshillit Nacional Serb të Kosovës Qendrore. Milan Ivanoviq nga Këshilli Nacional i Veriut dhe thotë se ky është qëndrimi i pakicës:
"Mendoj se ky është qëndrim i pakicës, që përfaqësohet nga një pakicë e vogël, që do të thotë nga Lista Serbe, e cila mori pjesë në zgjedhjet që i dhanë legjitimitet procesit të krijimit të shtetit të Kosovës, që u kundërshtua nga shumica serbe," tha Milan Ivanoviq, ndërkohë që Rada Trajkoviq angazhohet që serbët e Kosovës të jenë pjesë e delegacionit të Serbisë, pasi sipas saj problemi i Kosovës dhe zgjidhja e tij nuk qëndron në ndonjë marrëveshje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, por ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit:
"Interesat e serbëve të Kosovës dhe organeve shtetërore të Beogradit janë krejtësisht identike dhe prandaj nuk shoh arsye që të mos jenë bashkërisht në ekipin që do ta udhëheqë Beogradi," tha Rada Trajkoviq. Duke e arsyetuar qëndrimin e saj, zonja Trajkoviq që përfaqëson Këshillin Nacional Serb për Kosovën Qendrore, tha se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në delegacionin e Kosovës do të frustronte delegacionin kosovar:
"Sikur serbët e Kosovës të shkonin bashkë me delegacionin e Kosovës do të dukej sikur minojnë përfaqësuesit e shqiptarëve dhe të institucioneve të Kosovës, pasi qëndrimet e tyre nuk janë të njëjta," tha Rada Trajkoviq.
Oliver Ivanoviq ndërkaq, qëndrimin e tij për një delegacionin vetanak të serbëve të Kosovës e arsyeton me lënien pasdore të serbëve të Kosovës nga Prishtina dhe nga Beogradi:
"Është e qartë se shqiptarët nuk i duan serbët me të cilët nuk mund të ndërtojnë platformë të përbashkët, ndërsa Beogradi në këtë situatë bën hapa sipas inercionit," tha Ivanoviq, duke shpjeguar se Beogradi ka nisur të mendojë për delegacionin, vetëm pasi presidenti Rugova ka shpallur grupin negociator të Kosovës.
Mirëpo, në anën tjetër, forca të tjera politike e kontestojnë legjitimitetin e Listës Serbe. Rada Trajkoviq thotë se delegacioni i Beogradit do të ishte shumë më i përgjegjshëm, pasi ka përgjegjësi para 7 apo 8 milionë votuesve. Ndërkaq, Milan Ivanoviq nga Këshilli Nacional Serb i Veriut thotë se takimi i Vjenës ndërmjet ministrave të pushtetit lokal të Kosovës dhe të Serbisë ka qenë një shembull i mirë për përbërjen e delegacioneve:
"Takimi që është mbajtur në Vjenë, ku delegacioni serb ishte unik mendoj se është një model edhe për bisedimet e ardhshme," tha Milan Ivanoviq, sipas të cilit serbët e Kosovës duan të jetojnë në Serbi dhe ky është opinioni i përbashkët që nuk ndryshon nga qëndrimi i autoriteteve në Serbi.
Sidoqoftë, këto paqartësi dhe qëndrime kundërthënëse pritet të rrafshohen gjatë javës së ardhshme, kur është paralajmëruar që në Kosovë të qëndrojë udhëheqësja e Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovës, Sandra Rashkoviq-Iviq, e cila pikërisht lidhur me përbërjen e delegacionit do të bisedojë me përfaqësues forcash të ndryshme politike të serbëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG