Ndërlidhjet

TRAFIKIMI I QËNIEVE NJERËZORE NË KOSOVË MERR PËRMASA ALARMUESE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Trafikimi i njerëzve në Evropën juglindore, përfshirë këtu edhe Kosovën, ka marë përmasa alarmuese, thuhet në raportin e fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.
Rreth 89 përqind të viktimave të trafikimit që janë ndihmuar nga kjo organizatë vijnë nga Shqipëria, Rumania, Moldavia, Bullgaria dhe Kosova. Në këtë raport ndër të tjera thuhet se ndër viktimat e trafikimit, në të shumtën e rasteve janë përdorur për shfrytëzim seksual dhe janë detyruar të punojnë kundër dëshirës së tyre.
Bekim Ajdini, nga kjo organizatë, tha se nga 6255 viktima të trafikimit në Evropën juglindore, 568 raste janë shënuar në Kosovë.
"Ky numër faktikisht është nxjerrë në bazë të informacioneve që i kemi marrë, jo vetëm nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim, por edhe nga organizata të tjera, të cilat merren me asistimin e viktimave të trafikimit. Pra është një raport i përgjithshëm faktikisht që flet për numrin e viktimave të trafikimit nga vendet e tyre të origjinës."
Zoti Ajdini tha se prej vitit 2000 e deri tani, kjo organizatë ka asistuar mbi 60 viktima vendore, ndërkaq numri i viktimave nga vendet e tjera është mbi 450.
"Mund të them që numri i viktimave të huaja është në rënie e sipër, ndërkohë që numri i viktimave vendore është në rritje. Karakteristikë tjetër e viktimave të asistuara, faktikisht e informacioneve të marra nga këto viktima, është se pjesa dërrmuese e viktimave vendore, me një përqindje rreth 60 përqind, janë viktima minore, ndërkohë që tek viktimat e huaja, kjo është një përqindje më e ulët."
Ndërkaq Habit Hajredini, nga zyra për qeverisje të mirë, e cila është në kuadër të kryeministrisë, tha se megjithë faktin se egzistojnë mekanizma të përcaktuara për parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore, ky është momenti i fundit që institucionet vendore t'i kushtojnë një vëmendje më të qartë këtij problemi.
"Mund të them që në Kosovë tani është gjëndja që duhet të punohet dhe ka të bëjë me trafikimin vendor këtu. Nuk flitet më për Kosovën si vend kalimtar në tranzicion, por si vend i origjinës. Dhe pikërisht për këtë arsye institucionet duhet të bëjnë më shumë punë në këtë drejtim. Kështu që është gjendja për të punuar, duhet punuar më shumë në aspektin institucional në parandalimin dhe luftimin e trafikimit ".
Ndryshe zoti Ajdini, nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim, tha se raporti i fundit shënon një përmirësim në ndihmën që u është dhënë deri më tani viktimave të trafikimit.
"Është një numër shqetësues, megjithëse raporti është marrë në përgjithësi për vendet e Evropës juglindore. Raporti në mënyrë të veçantë ka tentuar që të identifikojë të gjitha vështirësitë, të gjitha problemet, të cilat ndeshen gjatë asistencës së viktimave të trafikimit".
Organizatat joqeveritare në Kosovë shpesh herë kanë tërhequr vëmendjen se viktimat kanë nevojë për ndihmë, edhe pse në disa raste ato u janë nënshtruar izolimit dhe mospërfilljes.

XS
SM
MD
LG