Ndërlidhjet

PËRFUNDON VIZITËN NË KOSOVË DELEGACIONI I BE-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike, si dhe përfaqësues të serbëve u kanë thënë sot ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Beograd, se presin që raporti i ambasadorit Kai Eide të jetë realist, mirëpo ndërsa përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të opozitës presin që raporti t’i hapë rrugë përcaktimit të statusit sipas vullnetit të popullit, përfaqësuesit serbë presin që raporti të përcaktojë një varg detyrash për institucionet lidhur me pozitën e serbëve.
Duke shfaqur bindjen se raporti i zotit Eide do të jetë pozitiv, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci tha se ambasadorëve të Bashkimit Evropian ua kishte bërë të qarta disa qëndrime të institucioneve dhe të spektrit politik të Kosovës, që sipas tij janë unike në këtë qëndrim:
"Kosova nuk e negocion pavarësinë e saj me askndë, sepse mandat për tjetër gjë nuk kanë institucionet e Kosovës, por rruga e kompletimit të asaj pavarësie duhet të bisedohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe me Serbinë si vend fqinj".
Mirëpo, tha zoti Daci të drejtat njerëzore, të drejtat pronësore, reparacionet e luftës dhe të gjitha çështjet e tjera mund të negociohen. Zoti Daci tha po ashtu se decentralizimi asimetrik që do të vlente vetëm për zonat serbe është po ashtu një çështje e panegociueshme, pasi kjo çështje ka qenë një nga çështjet, për të cilat ambasadorët kanë shfaqur interesim. Zoti Daci tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme po ashtu që të sigurojnë lirinë e lëvizjes për pakicat, por kjo nuk është çështje që ka të bëjë vetëm me pakicat:
"Nuk mund të kërkohet liri e qarkullimit vetëm për minoritetet. Në 23 për qind të territorit të Kosovës shqiptarët nuk kanë qasje dhe lëvizja e popullatës është problem që duhet të avancohet në gjithë Kosovën".
Në anën tjetër kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi që udhëheq forcën me të madhe opozitare shfaqi bindjen se raporti i zotit Eide do të jetë pozitiv për Kosovën dhe do të reflektojë gjithë angazhimin e qytetarëve dhe gjithë spektrit politik kosovar:
"Njëkohësisht jam shumë optimist se Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për zgjidhjen e statusit politik, që nënkupton vullnetin e qytetarëve për pavarësi dhe në të njëjtën kohë Kosova po përgatitet dhe po përgatit unitetin e plotë të spektrit politik, për t’u ballafaquar me zgjidhjen e statusit dhe mënyrën e ndërtimit të shtetit të saj."
Mirëpo, përfaqësuesi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë Oliver Ivanoviq, tha se raporti i zotit Eide duhet të nxjerrë në sipërfaqe të metat e institucioneve të Kosovës:
"Ne objektivisht presim që vlerësimi të jetë real dhe nga vetë kjo presim që institucionet të marrin një pako detyrash që duhet t’i kryejnë," tha Ivanoviq duke sqaruar se kjo pako duhet të përfshijë faktin që serbët të jenë pjesë funksionale e institucioneve dhe jo vetëm dekor i tyre.
Ndërkaq, Rangjel Nojkiq, po nga ky subjekt politik tha se para ambasadorëve e kishte quajtur të papranueshëm grupin negociator të shpallur nga presidenti Rugova, ku nuk ka emra serbësh:
"Ne u kemi thënë se kjo është e papranueshme për serbët dhe u thamë ambasadorëve se kjo dëshmon edhe një herë se ne jemi një dekor për institucionet," tha Nojkiq.
21 ambasadorë të akredituar në Beograd dhe përfaqësues të tjerë të Bashkimit Evropian i kanë dhënë fund sot qëndrimi dyditësh në Kosovë, pa u paraqitur fare para mediave, ndërkohë që dje ambasadori britanik në Beograd David Gowan, tha se porosia e tyre për bashkëbiseduesit në Prishtinë, por edhe për Beogradin ishte nevoja për pragmatizëm dhe për bashkëpunim, duke përmendur me këtë rast si një shembull të mirë takimin në Vjenë ndërmjet ministrave të pushtetit lokal të Kosovës dhe të Serbisë.




XS
SM
MD
LG