Ndërlidhjet

SOLANA: VITI 2006-VENDIMTAR PËR RAJONIN E BALLKANIT


Augustin Palokaj, Bruksel

Procesi i statusit të Kosovës është një çështje që do ta vërë të tërë rajonin e Ballkanit në qendër të agjendës sonë strategjike, është shprehur sot Havier Solana, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, duke e quajtur vitin 2006 si vit vendimtar për rajonin e Ballkanit. Solana ka dhënë këto vlerësime duke folur në një konferencë të Institutit të Studimeve të Sigurisë në Paris. Mund të presim që në bazë të raportit të ambasadorit Kai Eide, negociatat të fillojnë më vonë gjatë këtij viti, ka thënë Solana, i cili ka shtuar se do të ishte nënvlerësim të thuhej se ky proces do të jetë delikat. Jo vetëm që Beogradi dhe Prishtina mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta, por kanë mungesë të udhëheqjes së qëndrueshme politike, që do të ishte në gjendje të marrë vendime të vështira, ka thënë Havier Solana. Shefi i politikës së përbashkët të jashtme të BE-së më tej është shprehur se në qasjen gjatë procesit në Kosovë, Bashkimi Evropian strategjinë e tij duhet ta bazojë në tre pika thelbësore.
E para, thotë Solana, është e pamundur të zgjidhet çështja e Kosovës, pa marrë parasysh edhe ndikimin e saj për tërë rajonin. Na duhet një qasje gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të gjitha pjesët e kësaj figure rajonale të përputhen me njëra tjetrën në aspektin rajonal dhe më gjerë, ka thënë Solana.
Si bazë të dytë, në të cilën BE-ja duhet të bazojë strategjinë, Solana ka përmendur se zgjidhja nuk do të jetë e lirë. Angazhimi ynë do të kërkojë burime thelbësore evropiane në mjete financiare, në njerëz dhe me angazhim të zgjeruar në aspektin e sigurisë, si në Bosnje, Maqedoni, edhe më shumë në Kosovë.
Si bazë të tretë, Solana ka përmendur mbajtjen e premtimit të të gjitha vendeve të Ballkanit se duhet të ecin drejt Bashkimit Evropian, bazuar në avancimet e tyre në reforma. Kjo sipas Solanës është e rëndësishme sepse vendet e Ballkanit, kanë dëshmuar se motiv kryesor për reforma kanë perspektivën evropiane.




XS
SM
MD
LG