Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS EDHE SOT NDËRPREU PUNIMET, KURSE JESSEN PETERSEN PËRSËRI BËN THIRRJE PËR UNITET


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës edhe sot i ka ndërprerë punimet, pas mosmarrëveshjeve të shumta ndërmjet grupeve parlamentare të pozitës dhe opozitës. Ndërsa dje fillimisht Kuvendi miratoi deklaratën e presidentit Rugova për formimin e grupit negociator për bisedimet eventuale për statusin e Kosovës, e më pas ndërpreu punimet pas disa pakënaqësive të grupeve parlamentare, sot Kuvendi nuk arriti ta qartësojë pozicionin e vet lidhur me një nismë të Partisë Demokratike të Kosovës për miratimin e një rezolute. Në fakt, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, kërkoi nga Kuvendi që ta miratojë një rezolutë, me të cilën do të rikonfirmohej qëndrimi i këtij institucioni për zgjidhjen e statusit të Kosovës në bazë të vullnetit të popullit të saj. Kjo rezolutë sipas Thaçit ,do t’i përcaktonte kufijtë e bisedimeve për statusin për grupin negociator kosovar tashmë të miratuar nga Kuvendi:
“I propozojmë Kuvendit të Kosovës, nxjerrjen e kësaj rezolute. Nën një, Kuvendi i Kosovës kërkon që të rikonfirmohet vullneti i popullit të Kosovës nga të gjitha partitë politike për shtet të pavarur dhe sovran. Nën dy, Kuvendi i Kosovës merr qëndrim për mos-negocim të pavarësisë së Kosovës. Nën tre, çdo vendim politik nga bisedimet apo marrëveshjet përfundimtare të kenë ratifikimin e Kuvendit të Kosovës”, tha Thaçi.
Pas propozimit të Thaçit, Kuvendi mori një pauzë prej një ore, e më pas u deklaruan të gjitha grupet parlamentare. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi, kërkoi nga opozita ta procedojë nismën e vet në formë të rregullt procedurale dhe ta qesë në letër këtë kërkesë që ajo të shqyrtohet gjatë seancave të radhës:
“Ne si grup parlamentar do të japim kontributin tonë pasi që ta marrim atë nismë në formën e shkruar”, theksoi Gashi.
Në vazhdim, nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku, tha se në parim e mbështeste Thaçin në idenë e tij, por edhe ai kërkoi respektimin e procedurave për procedim të mëtejmë të kësaj nisme në Kuvend:
“Më pëlqeu fjalimi i zotit Thaçi, por ne nuk kemi asgjë të shkruar për të cilën ne mund të votojmë. Grupi parlamentar i AAK-së do të marë pjesë në harmonizimin e rezolutës apo deklaratës që do të merremi vesh”, tha Maloku.
Në anën tjetër, kryetari i partisë së dytë opozitare, Ora, Veton Surroi, tha se nismat e tilla si ajo e Thaçit, respektivisht PDK-së, nuk mund të kalojnë përmes rezolutave e deklaratave, por duhet të përfshihen në kuadër të platformës së Kosovës për bisedimet për statusin:
“Sot nuk do të duhej të deklaroheshim, sepse për të të tilla iniciativa, apo iniciativa të tjera, duhen unifikuar qëndrimet ndërmjet grupeve parlamentare. Unë besoj që nga ato që dëgjuam dje dhe sot nuk ka kush gjë kundër një përmbajtjeje të tillë”, tha Surroi.
Pasi që Kuvendi nuk u përcaktua për një datë kur do të shqyrtohej nisma e PDK-së, deputetët e kësaj partie e lëshuan sallën, me çka Kuvendi mbeti pa kuorum dhe i ndërpreu punimet. Menjëherë pas, kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, priti në një takim shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, i cili edhe kësaj here kërkoi nga i gjithë spektri politik kosovar që të jetë unik në prag të bisedimeve për statusin:
“Unë u bëj thirrje të gjitha partive dhe liderëve politikë që të jenë të gatshëm dhe të përgatiten për procesin e rëndësishëm të diskutimeve për statusin, duke mos harruar se ende ka shumë punë në këtë drejtim”, tha Jessen-Petersen.
Ndërkaq kryeparlamentari Daci, tha se pala kosovare është e bashkuar dhe do të jetë unike, por dallimet dhe mospajtimet, sipas tij, vijnë si pasojë e përplasjeve egzistuese brenda partive të caktuara parlamentare dhe jo brenda spektrit politik dhe lidershipit të Kosovës:
“Unë ju them që ne jemi bashkë, pozitë e opozitë dhe pavarësia e Kosovës nuk do të jetë meritë vetëm e pozitës, sepse është meritë e kosovarëve, e të gjitha luftërave, edhe në edukim, edhe për çlirim, prandaj nuk guxojmë t’i lejojmë luks vetvetes që ta lëshojmë shansin që ndoshta shekujt janë munduar dhe ne ta bëjmë atë me inatet tona provinciale, e siç thosha unë edhe të mashallave”, theksoi Daci.
Vazhdimi i seancës së ndërprerë të Kuvendit është caktuar për të hënën. Ndërkohë që në kuadër të përgatitjeve për fazën e bisedimeve për statusin, presidenti i Kosovës ka pritur sot në një takim koordinatorin e grupeve përgatitore të punës për bisedat eventuale, zotin Blerim Shala. Në një njoftim me shkrim nga zyra e presidentit, thuhet se takimi me koordinatorin Shala i ka pasuar takimet e tij konsultative të zhvilluara ditët e fundit që kanë për qëllim të çojnë përpara procesin e përgatitjeve për bisedime. Gjithashtu, në njoftim bëhet e ditur se presidenti Rugova do ta thërrasë takimin e parë të grupit negociator nga mesi i javës së ardhshme.

XS
SM
MD
LG