Ndërlidhjet

B. KOSUMI: INTEGRIMI I KOSOVËS NË EVROPË, PRIORITET I QEVERISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Duke marrë parasysh zhvillimet dhe trendet e fundit të globalizimit, qeveria e Kosovës i ka parashtruar vetes disa prioritete, në mënyrë që aktivitetetet e saj të jenë konform standardeve dhe rregullativave evropiane, ngase një ndër qëllimet e qeverisë është edhe integrimi i Kosovës në rajon dhe Evropë, ka thënë sot kryeministri Bajram Kosumi, në një konferencë ndërkombëtare të titulluar “Ditët e cilësisë evropiane në Kosovë”.
Standardet, cilësia, akreditimet dhe çertifikimet në të gjitha fushat institucionale dhe të shoqërisë së Kosovës në tërësi, si dhe përfshirja e Kosovës në tregun e përbashkët evropian, padyshim janë ndër detyrat më prioritare të qeverisë së Kosovës, ka thënë Kosumi:
“Kohë më parë qeveria ka filluar përpilimin e Planit Kombëtar Zhvillimor të Kosovës, në të cilin do të caktohen prioritetet zhvillimore të Kosovës në të gjitha sferat e shoqërisë. Në këtë plan do të përfshihen të gjitha strategjitë zhvillimore dhe qëllimi i tyre do të jetë përmirësimi dhe ngritja e cilësisë në të gjitha sektorët e shoqërisë si nevojë urgjente e kohës”, tha kryeministri Kosumi.
Ndërkohë këshilltari për ekonomi i presidentit të Kosovës, Berim Ramosaj, tha se në procesin e integrimit të Kosovës në strukturat evropiane, procesi i ndërtimit të cilësive është një prej më të rëndësishmëve:
“Ndërtimi i standardeve të cilësisë qoftë ato ISO, apo standardeve të tjera, kanë rëndësi si në administrimin e biznesit, ashtu edhe në menaxhmentin operativ apo menaxhmentin e prodhimit. Sidoqoftë Kosova me këtë konferencë dhe shumë aktivitete të tjera do të bëjë një hap drejt integrimeve të përgjithshme në strukturat e përgjithshme ekonomike”, tha Ramosaj.
Ndërkaq në fjalimin e tij, profesori i Universitetit të Vjenës, Herbert Osanna, tha se cilësitë moderne nënkuptojnë fillimin e shekullit të XX, por shtoi ai, cilësia ka rëndësi edhe në jetën private:
“Cilësia është pjesë e rëndësishme në njërën anë për ekonominë, e në anën tjetër në jetën private të secilit njeri”, tha profesori Osanna.
Kjo është hera e katërt që nën organizim të Universitetit për Biznes e Teknologji, në Prishtinë po mbahet konferenca ndërkombëtare “Ditët e cilësisë evropiane në Kosovë”, e cila i vazhdon punimet edhe nesër.




XS
SM
MD
LG