Ndërlidhjet

FILLOI GREVA E PUNËTORËVE TË ARSIMIT DHE TË SHËNDETËSISË NË KOSOVË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në institucionet e arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë është duke u mbajtur grevë e përgjithshme në kërkim të zbatimit të kontratës kolektive dhe nivelizimit të pagave për punëtorët e këtyre institucioneve.
Asllan Bajrami, kryetar i këshillit grevist tha se greva është duke u mbajtur sipas planit dhe sipas tij pjesëmarrja e grevistëve është në nivelin e kërkuar.
"Ka filluar greva në dy institucionet që janë të ftuara në grevë. Qeveria e ka në dorë çelsin e përmbylljes së grevës ose vazhdimit të grevës."
Jakup Mulolli, kryetar i sindikatës në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, tha se tashmë grevës i janë përgjigjur të gjithë punëtorët shëndetësorë. Punën janë duke e bërë vetëm shërbimet e urgjencës.
"Sa kemi ne informacione prej terrenit të gjitha institucionet shëndetësore kanë hyrë në grevë. Janë duke punuar vetëm shërbimet emergjente. Kujdesi intensiv, dializa, guzhina, rastet emergjente do të trajtohen."
Zenel Zeka, sekretar në sindikatën e bashkuar për arsim shkencë dhe kulturë, tha se greva është duke u mbajtur në të gjitha nivelet arsimore, duke përfshirë këtu edhe Universitetin e Prishtinës.
"Sipas informacioneve që kemi, grevës i janë përgjigjur deri tani numri më i madh i shkollave, domethënë nuk kemi informacione se ndonjë shkollë është grevëthyese."
Ndryshe në shkollën fillore Dardania në Prishtinë, 94 mësimdhënësit e saj rrinin ulur në zyrën e arsimtarëve. Ndërsa klasat, që në ditët e tjera numërojnë 1780 nxënës, ishin të zbrazura.
Ferit Ademi, kryetar i sindikatës së kësaj shkolle thotë se greva e sotme është rruga e vetme për t'u përgjigjur ndaj mosrealizimit të premtimeve të njëpasnjëshme të qeverisë.
" Ka ardhur puna deri këtu pasi nuk kemi patur rrugë tjetër. Pak a shumë e di buxhetin e qeverisë, pak a shumë i di dhe hallet dhe problemet e arsimtarëve me vite."
Një situatë e ngjashme ishte dhe në shkollën fillore "Faik Konica" në Prishtinë. Ahmet Gecaj, kryetar i sindikatës në këtë shkollë tha se greva është përkrahur nga të gjithë punëtorët e kësaj shkolle dhe se kërkesat e tyre janë të natyrës sociale.
"Grevën e përkrahëm në tërësi. Kërkesat tona janë kërkesa sociale, kërkesa të arsyeshme. Grevën e bëjmë vetëm për çështje sociale, nuk e bëjmë për asnjë qëllim tjetër." Qeveria e Kosovës deri më tash u është përgjigjur paralajmërimeve për grevën me kërkesën për vetëpërmbajtje, duke thënë se megjithë mungesën e mjeteve materiale, ky institucion është duke punuar në gjetjen e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Por sindikalistët thonë se deri atëhere greva do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG