Ndërlidhjet

SINDIKATA PARALAJMËRON VAZHDIMIN E GREVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk e konsideron serioze ofertën e qeverisë drejtuar sindikalistëve dhe punëtorëve të arsimit dhe të shëndetësisë, që të heqin dorë nga greva dhe të përpiqen që bashkë me qeverinë të gjejnë një zgjidhje për kërkesat e punëtorëve, që kanë të bëjnë me nivelimin e pagave dhe realizimin e aneksit të një marrëveshjeje ndërmjet qeverisë dhe sindikatës, thanë sot udhëheqës të këshillit grevist, duke paralajmëruar vazhdim të grevës së filluar dje. Kryetari i Këshillit grevist Dr. Asllan Bajrami tha se qeveria nuk ka bërë ndonjë ofertë:
"Presim një ofertë, të cilën ata ende nuk na e kanë ofruar, nuk na kanë ftuar të ulemi dhe të shohim se çfarë oferte është ajo. Ka disa kontakte në nivel të qeverisë dhe të BSPK-së, por ato janë kontakte dhe nuk është negociatë".
Ndërkaq, Ali Shabanaj, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, tha se presin nga qeveria që të ulen bashkë dhe të sqarohen gjërat:
"Ne ende nuk kemi asnjë ofertë konkrete nga qeveria. Ishte një prononcim nga dita e premte kur ishim në takim me ta. Oferta e qeverisë atë ditë ishte që ta formojmë një komision të përbashkët, ku do ta shqyrtojmë mundësinë e sistemit të ri të pagave dhe ai komision mund të punojë pa kufi dhe kjo ishte e tëra deri më tash. Presim që së shpejti ndoshta të takohemi përsëri dhe të sqarojmë gjërat".
Edhe qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp, ka kërkuar që zgjidhja të kërkohet përmes dialogut dhe jo përmes grevës. Avni Arifi, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi, në një prononcim pë Evropën e Lirë tha:
"Ne thërrasim sindikatat që të vazhdojmë dialogun, sepse vetëm dialogu është ai që mund të na çojë deri te zgjidhja e problemeve, e jo greva,. Në këtë fazë në të cilën po kalon Kosova, e vetmja mënyrë për tejkalimin, të gjitha mund të zgjidhen vetëm me anë të dialogut."
Zoti Arifi ka përmendur disa arsye që e pamundësojnë qeverinë të përmbushë kërkesat e punëtorëve grevistë:
"Domethënë kemi të bëjmë me 64 mijë punëtorë, mirëpo që nga periudha shkurt 2004 deri në dhjetor 2004, numri është rritur me pothuajse 15 mijë punëtorë të tjerë dhe shuma që ka qenë e paraparë për 6 muaj, e ajo është 7.5 milionë euro, tanimë nuk mund të garantojë një nivelim çfarë punëtorët e kërkojnë", tha zoti Arifi, për të shtuar në arsyet edhe vërejtjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që të mos bëhen shpenzime shtesë nga buxheti i Kosovës. Mirëpo, sindikalistët vazhdojnë të mos pajtohen. Ali Shabanaj, nga sindikata e punëtorëve të arsimit, thotë se qeveria nuk ka arritur t’i bindë se nuk ka mjete, pasi 7.5 milionë janë ndarë për nivelimin e pagave dhe kjo është dashur të bëhet në mënyrë praktike:
"Se ku janë paratë për paga dhe çfarë ka bërë qeveria, unë kujtoj se është në natyrën e saj të japë llogari për ato gjëra."
Ndërkaq, kryetari i këshillit grevist Asllan Bajrami, thotë se jetësimi i aneks kontratës nuk e ngarkon buxhetin, por përkundrazi:
"Me nënshkrimin e aneks-kontratës lehtësohet buxheti dhe ne kemi hequr dorë nga disa pika të kontratës që kanë qenë në të mirë të punëtorëve, por për hir të buxhetit është bërë aneks kontrata".
Sindikalistët thotë se marrëveshja e nënshkruar nuk është respektuar nga qeveria, prandaj është vështirë të binden punëtorët për të hequr dorë nga greva:
"Ajo ka qenë ofertë e qeverisë për fillimin e zbatimit edhe të kontratës, edhe të nivelimit të pagës nga 1 korriku, pasi i kanë llogaritur të gjitha mundësitë buxhetore, sepse ne nuk e kemi buxhetin," tha zoti Asllan Bajrami, duke shprehur vendosmërinë që greva të vazhdojë nga dita e nesërme, pasi dita e sotme është konsideruar ditë pushimi për shkak të festës myslimane të fillimit të Ramazanit. Punëtorët e arsimit dhe të shëndetësisë në gjithë Kosovën, sipas sindikalistëve, edhe gjatë ditës së nesërme do të shkojnë në vendet e tyre të punës, por nuk do të punojnë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërkohë që kontaktet ndërmjet kreut të BSPK-së dhe qeverisë tashmë kanë filluar.

XS
SM
MD
LG