Ndërlidhjet

OPOZITA KËRKON NDËRHYRJEN E KUVENDIT PËR GJENDJEN E KRIJUAR NGA GREVA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Partitë opozitare në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë nga Kuvendi që të trajtojë gjendjen e krijuar në fushat e arsimit dhe shëndetësisë. Sipas një nisme nga partia e dytë opozitare Ora, Kuvendi duhet të trajtojë zgjidhjen e problemeve egzistuese në arsim dhe shëndetësi, që kanë rezultuar me grevë të punëtorëve në këto fusha. Shefja e grupit parlamentar të partisë Ora, Teuta Sahaxhiu, thotë se Kuvendi mund ta obligojë qeverinë që të mos i injorojë kërkesat e sindikatave të punëtorëve dhe të ofrojë zgjidhje, të cilat janë konform mundësive që ka buxheti i Kosovës. Deputetja Sahaxhiu mendon se prerjet buxhetore nuk janë bërë në mënyrë korrekte për të gjitha fushat, dhe këtu sipas saj burojnë dhe pakënaqësitë siç është rasti me arsimin dhe shëndetësinë.
"Ne duhet ta pranojmë të gjithë se jemi një vendi varfër, por duhet ta kemi parasysh edhe këtë, që nëqoftë se në familje e kemi gjendjen keq me mjete financiare, do duhej që që të gjithë të solidarizohen me atë. Jo një pjesë së bëjë shpenzime ekstra lluksoze, dhe po kjo pjesë të kërkojë nga një pjesë shumë e madhe e popullsisë, e cila faktikisht e mbush buxhetin, që ta shtrëngojë rripin."
Kërkesa e partisë Ora përkrahet dhe nga subjekti i dytë opozitar Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti i kësaj partie Ydajet Hyseni, vlerëson se kërkesat e punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë, apo cilitdo sektor, qoftë nuk duhen injoruar nga qeveria, por as nga Kuvendi i Kosovës. Debati në Kuvend sipas deputetit Hyseni, do të mund të sillte qëndrimet e Kuvendit për këtë çështje, të cilat do t'i shërbenin më pas qeverisë për të dalë nga gjendja egzistuese.
"Nuk besoj se grevistët kërkojnë zgjidhje të pamundshme. Ajo që së paku ne si përfaqësues të institucioneve do duhej të bënim, është që do duhej mos injoronim kërkesat e qytetarëve tanë. Ne do duhej të komunikonim me ta, të dëgjonim kërkesat e tyre dhe t'u jepnim arsyet tona. Komunikimi i hapur gjithmonë edhe rezulton me marrëveshje."
Ndërkohë deputetët nga radhët e partive në pushtet nuk janë prononcuar, duke konsideruar se Kuvendi është pajtuar në seancën e kaluar që qeveria të gjejë zgjidhje të pranueshme.
Qeveria e Kosovës sipas paralajmërimeve do të mblidhet sërisht sot pasdite ku pritet të dalë eventualisht me ndonjë ofertë të re për grevistët.



XS
SM
MD
LG