Ndërlidhjet

PLATFORMA E GRUPIT NEGOCIATOR TË KOSOVËS ËSHTË PAVARËSIA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pavarësia e Kosovës është kërkesa minimale e delegacionit të Prishtinës në prag të bisedimeve të mundshme për statusin, ka thënë sot presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Këto qëndrime, Rugova i ka shprehur pas takimit të parë të grupit negociator të mbajtur sot në rezidencën e tij, ku është shpalosur platforma e Kosovës për bisedimet e paralajmëruara për statusin e Kosovës. Platforma dhe bisedimet për statusin, për palën e Kosovës nuk nënkuptojnë asgjë më pak sesa bisedime për pavarësinë e saj, është shprehur Rugova, duke kundërshtuar mundësinë e çfarëdo kompromisi tjetër:
“Kompromis për Kosovën është pavarësia e Kosovës. Një kompromis dhe optimum i të gjithë shqiptarëve në rajon, e them edhe tani, sepse ne nuk kemi kërkuar bashkim me Shqipërinë që do të krijonte probleme të reja. Prandaj një Kosovë e pavarur do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e botës, një Kosovë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Rugova.
Qëndrimi i presidentit Rugova, u tha të jetë qëndrim unik i delegacionit të Kosovës, ku bëjnë pjesë dhe kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, kryetari i partisë Ora, Veton Surroi dhe koordinatori i grupit të ekspertëve, Blerim Shala.
Kryetari i PDK-së, subjektit më të madh opozitar, Hashim Thaçi, tha se shpreson që uniteti i shprehur sot të manifestohet dhe në miratimin e rezolutës së propozuar nga PDK-ja në Kuvendin e Kosovës javën e ardhshme. Kjo rezolutë sipas propozimit të opozitës, duhet të jetë si preambulë e platformës së Kosovës për bisedimet për statusin e saj:
“Çdo dokument i delegacionit të Kosovës në mënyrë konsensuale duhet të miratohet në Kuvend dhe pastaj të fuqizohet, miratohet dhe prezantohet edhe në raport me ndërkombëtarët. Prandaj më vjen mirë dhe besoj se kështu si jemi sot bashkë, ashtu do të jemi edhe javën e ardhshme në parlamentin e Kosovës, ashtu si jemi zotuar do ta ruajmë atë unitet të qëndrueshëm, për ri-konfirmimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur e sovran”, tha Thaçi.
Platforma për bisedimet për statusin e Kosovës do të miratohet nga Kuvendi dhe si e tillë do të krijojë legjitimitet të plotë për procesin eventual negociator, ka thënë kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci:
“Pesëshja dhe koordinatori i grupit janë absolutisht në një frekuencë. Ky delegacion i Kosovës do ta marë mandatin në Kuvendin e Kosovës dhe kufiri më i ulët siç e thanë presidenti, Thaçi e Surroi është pavarësia e Kosovës”, ka pohuar Daci.
Në vazhdim, Veton Surroi nga partia e dytë opozitare Ora, tha se qëndrimi unik rreth platformës për pavarësinë e Kosovës, ka konsensusin e plotë të gjithë anëtarëve të grupit negociator dhe ka mbështetur qëndrimin që kjo platformë të marrë dhe miratimin e Kuvendit:
“Platforma është shumë e qartë, do të thotë e ka pikënisjen, siç e ka pasur, për pavarësi. Është një elaborim më i gjatë që duhet bërë dhe ai elaborim mendoj se e ka konsensusin e plotë tonin dhe duhet të paraqitet në Kuvendin e Kosovës dhe si i tillë bëhet obligues për çfarëdo procesi negociator në të ardhmen”, ka thënë Surroi.
Duke pasur parasysh se platforma e Kosovës është për pavarësinë e saj, tha në vijim presidenti Rugova, tani grupi negociator është pajtuar që të bëjë një operacionalizim të grupit të ekspertëve që do të punojë intensivisht në përgatitjen e bisedimeve. Në krye të grupit të ekspertëve tashmë është emëruar, Blerim Shala, i cili i ka prezantuar bazat e kësaj platforme dhe format e organizimit të përgatitjeve nëpër grupe përkatëse të ekspertëve, për fushat në të cilat do të bisedohet gjatë procesit të mundshëm negociator.

XS
SM
MD
LG