Ndërlidhjet

SINDIKATA E ARSIMIT E PAKËNAQUR ME MARRËVESHJEN E BSPK-SË ME QEVERINË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Greva e përgjithshme në sistemin arsimor dhe të shëndetësisë në Kosovë ka marrë fund, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Adem Salihaj. Ai ka thënë se marrëveshja mbi ofertën e fundit të qeverisë për zbatimin e pjesshëm të kërkesave të grevistëve është nënshkruar me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili më tej ka mbajtur një takim me gazetarët. Mirëpo, me Bashkimin e Sindikatave dhe marrëveshjen e arritur, duket se nuk është pajtuar Sindikata e Bashkuar për Arsim. Zenel Zeka nga kjo sindikatë, thotë se greva në sistemin e arsimit vazhdon, ndërkaq ajo në sistemin e shëndetësisë duket se është ndërprerë.
Në të njëjtën kohë, grevë dhe protesta ka pasur edhe para Ministrisë së Shërbimeve Publike. Para ndërtesës së kësaj ministrie, më shumë se 100 punëtorët e saj kanë protestuar, në kërkim të rikthimit të punëtorëve të larguar nga puna, të cilët, sipas protestuesve, janë shkarkuar pa asnjë arsyetim dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.
Naim Rrustemi, anëtar i këshillit sindikalist në këtë ministri, tha se ministrja Melihate Tërmkolli, i ka larguar disa punëtorë nga kjo ministri dhe ka vendosur punëtorë të tjerë të paautorizuar, duke bërë kështu, sipas tij, shkelje të rënda ligjore. Sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shërbimeve Publike, prej janarit e deri në shtator të këtij viti, 10 punëtorë janë larguar nga puna, dy të tjerë janë larguar nga komisioni disiplinor, ndërsa 18 punëtorë të tjerë për arsye të ndryshme kanë dhënë dorëheqje.
"Arsyeja është kjo që të mbrojmë të drejtën dhe sundimin e ligjit në Ministrinë e Shërbimeve Publike dhe që të mos lejojmë nëpërkëmbjen e ligjit të shërbimit civil nga numri një i kësaj ministrie. Shkelja e vazhdimit të kontratës së punës dhe vendosja e njerëzve të pautorizuar në Ministrinë e Shërbimeve Publike. Ministrja i largon punëtorët nga puna për arsyet e saj personale dhe politike."
Protestuesit thonë se janë duke e kundërshtuar largimin e kolegëve të tyre nga puna, sepse një rrezik i tillë egziston për të gjithë punëtorët në këtë ministri.
Eshfref Vishi shpjegon arsyet e protestës.
"Vendimet e ministres Tërmkolli janë jollogjike, jashtë procedurale dhe nuk janë konfrom procedurave të parapara me ligj. Presionet gjithandej vijnë nga stafi politik i saj. Kabineti i ministres është drejtpërdrejt i përfshirë në menaxhimin e administratës, gjë që është plotësisht në kundërshtim me procedurën e rregullt të menaxhimit."
Skënder Rracaj, tha se punëtorëve në Ministrinë e Shërbimeve Publike iu shkelen të drejtat e tyre në forma të ndryshme, dhe sipas tij, punëtorët në këtë ministri janë të diskriminuar.
"Kemi dalë për të mbrojtur të drejtat tona të shkelur në mënyrë të ashpër dhe mënyrat e tjera diskriminuese, që janë duke u bërë në kohë të vazhdueshme ndaj shërbyesve civilë."
Në Ministrinë e Shërbimeve Publike vazhdimisht pohojnë se punëtorët e shkarkuar, janë larguar gjithnjë duke respektuar procedurat ligjore dhe rregullat që egzistojnë brenda këtij institucioni. Sidoqoftë, disa prej protestuesve gjatë ditës së djeshme kanë hyrë edhe në grevë urie, por ajo mbrëmë është ndërprerë për shkak të ndërhyrjes së forcave të rendit.

XS
SM
MD
LG