Ndërlidhjet

PETERSEN I BINDUR PËR REKOMANDIMIN E FILLIMIT TË BISEDIMEVE NGA ANA E KOFI ANANIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, ka thënë sot se raporti i ambasadorit Eide për gjendjen e përgjithshme politike në Kosovë do t’i dorëzohet nesër Këshillit të Sigurimit dhe është shprehur i bindur se sekretari Anan do të rekomandojë fillimin e bisedave për statusin e Kosovës.
Këto deklarata shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen i ka bërë sot në Prishtinë, pak para se të nisej për në Beograd, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi.
"Raporti do t’i prezantohet Këshillit të Sigurimit nesër në Nju Jork," tha zoti Jessen Petersen, duke shfaqur bindjen se ky moment shënon edhe fillimin e procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës:
"Unë tashmë kam thënë në disa javët e fundit se jam i bindur se Sekretari i Përgjithshëm do të rekomandojë fillimin e bisedimeve për statusin dhe ende jam shumë i bindur për këtë," tha Jessen Petersen, vetëm pak çaste para se të nisej për në Beograd, ku takon autoritetet e atjeshme.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se shpresonte që raporti të ishte pozitiv:
"Deri më tash nuk ka ende as detaje dhe as tërësi, pasi akoma nuk është bërë publik, por si gjithmonë shpresojmë se do të reflektojë progresin që është bërë në Kosovë".
Deklaratat e djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, se mund të rekomandojë fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës, që do të zyrtarizoheshin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 24 tetor, në Kosovë është vlerësuar si hyrje në një fazë të re të procesit për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi ka shprehur sot gadishmërinë e qeverisë për bisedime lidhur me krijimin e shtetit të Kosovës, siç u shpreh ai:
"Pas dorëzimit të raportit të ambasadorit Eide te Sekretari i Përgjithshëm Anan, është gadishmëria e qeverisë dhe popullit të Kosovës që të bisedojë me bashkësinë ndërkombëtare për krijimin e shtetit të Kosovës dhe po ashtu të bisedojë edhe me Beogradin, për të zgjidhur disa probleme që janë thelbësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç është çështja e pakicës serbe në Kosovë, çështja e trashëgimisë kulturore, trashëgimisë fetare e të tjera".
Mirëpo, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se rekomandimi i Sekretarit Anan për fillimin e bisedave për statusin vjen në një moment delikat. Oliver Ivanoviq tha se asnjëra nga palët nuk ka lëvizur nga pozicionet fillestare, që janë diametralisht të kundërta:
"Nisja nga pozicionet fillestare pothuajse asnjëherë nuk është mundur dhe në këto kushte nuk mund të gjendet një zgjidhje që është e kënaqshme për të gjithë, prandaj unë shpresoj që nuk do të ketë një zgjidhje të imponuar, por ajo herdokur do të bëhet në bazë të marrëveshjeve dhe kompromiseve," tha Ivanoviq, sipas të cilit një shans i mirë për qetësimin e serbëve kanë qenë pilot-komunat që do t’i bënin serbët që më qetësisht ta prisnin çështjen e statusit, mirëpo fatkeqësisht kjo ka dështuar, tha Ivanoviq.
Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se deklarata e mbrëmshme e zotit Anan ishte një shenjë shpresëdhënëse që përmbushte pritjet e tyre nga raporti i ambasadorit Eide, i cili në korrik të këtij viti pati filluar punën për hartimin e raportit për vlerësimin e përmbushjes së standardeve dhe të gjendjes së përgjithshme politike në Kosovë. Atëbotë qe thënë se një raport pozitiv do të hapte rrugën për bisedimet lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, ndërsa sinjali për këtë pritet të jepet në mbledhjen e 24 tetorit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.




XS
SM
MD
LG