Ndërlidhjet

VJENË


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, deklaroi sot në Vjenë se vendi i tij mbështet pavarësinë e Kosovës, duke tërhequr vërejtjen që të mos kishte më vonesa në këtë drejtim. Këto komente ai i bëri pas takimit me presidentin e Austrisë, Heinz Fischer. Zoti Moisiu tha se pavarësia nuk duhet të paraqesë problem për askënd pasi sipas tij sllovenët dhe kroatët, "të cilët janë shumë më të afërt me serbët e malazezët nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore fituan pavarësinë". "Na duhet një zgjidhje që do eleminonte çdo problem në të ardhmen", tha Moisiu dhe shtoi se prej 7 milionë shqiptarëve, në Shqipëri jetojnë vetëm gjysma e tyre, prandaj sipas tij kjo paraqet dëshmi se në të kaluarën shqiptarët kanë pasur rol stabilizues në Evropë. Zoti Moisiu tha se Shqipëria është faktor stabiliteti për gjithë rajonin, i cili deri para disa vitesh ishte jostabil. Presidenti austriak Fischer tha se është në interes të Evropës që për çështjen e hapur të Kosovës të gjendet një zgjidhje e qartë që do të mbështetej në konsensus. Ai më tej tha se "në demokraci duhet të arrihen zgjidhje që do respektonin si interesat e shumicës ashtu dhe ato të pakicës."
I pyetur nga gazetarët nëse Austria do mbante të njëjtin qëndrim si në rastin e Turqisë dhe ndaj Shqipërisë kur të diskutohej hapja e bisedimeve për anëtarësi në Bashkimin Evropian, presidenti austriak theksoi se këto raste nuk mund të krahasohen "kur dihet dallimi i madh në numër mes popullsisë së Shqipërisë dhe asaj të Turqisë."
XS
SM
MD
LG